Lista Serbe vazhdon avazin e komunave me shumicë serbe, vetëm njëra shkon në balotazh
Photo archive: Laura Hasani

Lista Serbe vazhdon avazin e komunave me shumicë serbe, vetëm njëra shkon në balotazh

Zgjedhjet Lokale 2021 October 18, 2021 - 11:41

Komunat me shumicë serbe në Kosovë rezultatin e këtyre zgjedhjeve e kanë të njëjtin. Në secilën prej tyre ka fituar Lista Serbe, parti e cila zhvillon aktivitetin e saj sipas diktatit të Serbisë.

Mitrovica e Veriut është fituar nga Lista Serbe me 91,33% nga Milan Radojeviq, teksa Erden Atiq i iniciativës qytetare “Mitrovica” ka marrë 8,67%. E Graçanica është fituar nga Liljana Shubariq e LS-së me 77,71%, teksa ish-kryetari i këtij qyteti dhe ish-zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq i dalë në LS-ja ka marrë 22,29% të votave.

Leposaviqi ka votuar me 97,85% për Zoran Todiqin e Listës Serbe, i cili pasohet nga Shaqir Hetemi i PDK-së me 2,15%. Një komunë ku edhe shqiptarët kanë një numër të madh votash është Novobërda. Aty ka fituar Sasha Milosheviq i Listës Serbe me 64,09%, që pasohet nga Bajrush Ymeri i LDK-së me 23,84%, Abdyl Gashi i LVV-së me 8,45% dhe Selatin Nuhiu i PDK-së me 3,61%.

Shtërpca ka votuar me 59,36% për Dalibor Jevtiqin e LS-së, teksa i dyti me 16,30% është Slavisha Vasiljeviq i listës qytetare "Shtërpca e Lirë". I treti ishte Fikrih Hasani prej Bashkë për Shtërpcën dhe Besim Islami i LVV-së.

Komuna veriore e Zubin Potokut ka votuar me 83,49% për Sërgjan Vuloviqin e LS-së, teksa shqiptari Qerkin Veseli i LDK-së ka marrë vetëm 6,74%. Po në veri edhe Zveçani ka votuar me 98,45% për Dragisha Miloviqin e LS-së.

Në Ranillug si e vetme ka fituar Lista Serbe me Katarina Ristiq-Iliq me 100%, në Partesh ishte Dragan Petkoviq i LS-së që mori 75,20%, i pasuar nga Nenad Cvetkoviq me 21,40% dhe Jugoslav Jovanoviq me 3,40%, e në Kllokot Lista Serbe me Vladan Bogdanoviqin ka shkuar në balotazh me Strahinja Spasiq i një iniciative qytetare. /Zëri