Doli e treta në Ferizaj, Sibel Halimi: Politika, ende sfidë për gratë

Doli e treta në Ferizaj, Sibel Halimi: Politika, ende sfidë për gratë

Zgjedhjet Lokale 2021 October 18, 2021 - 13:31

Kandidatja e LDK-së për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi, ka thënë se politika vazhdon të jetë ende sfidë për gratë.

Ndonëse u radhit e treta në zgjedhjet e djeshme, Halimi thotë se do të vazhdojë të japë kontributin e saj kudo në të mirë të vlerave njerëzore dhe fuqizimit të grave.

“Jashtëzakonisht e lumtur që e gjithë fushata dhe dita e zgjedhjeve shkoi ashtu siç e meriton Ferizaj! Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim kudo që jam gjithmonë në të mirë të vlerave njerëzore e fuqizimit të grave, pavarësisht epilogut përfundimtar. Kemi shumë për të bërë së bashku! Politika ende vazhdon të jetë sfidë për gratë, por vetëm duke u sfiduar ia dalim, sepse Ferizaj e Kosova meriton të jetë një vend modern dhe i emancipuar”, ka shkruar Halimi.

Ajo ka falënderuar të gjithë aktivistët e veprimtarët që i qëndruan pranë përgjatë gjithë këtyre muajve. Ndërsa, fituesit i ka kërkuar përkushtim më të madh te nevojat elementare të qytetarëve të Ferizajt.

Ndryshe, sipas rezultatit komuna e Ferizajt do të udhëhiqet edhe për një mandat nga Agim Veliu i PDK-së, i cili ka fituar 62,52% të votave. /Zëri