Koalicionet si pazar për fitore në Kosovë

Koalicionet si pazar për fitore në Kosovë

Zgjedhjet Lokale 2021 October 19, 2021 - 16:38

Partitë politike në Kosovë nuk janë përcaktuar rreth koalicioneve të mundshme para rrethit të dytë të votimeve për kryetarë të komunave. Disa prej tyre i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë duke pritur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale të 17 tetorit, për të nisur negociata për koalicionet e mundshme.

Në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2017, partitë politike në shumicën e komunave kishin bërë koalicione të cilat i kishin zyrtarizuar, e në disa raste kishin marrë mbështetje nga njëra apo tjetra parti.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna do të shkojnë në balotazh, që do të mbahet më 14 nëntor 2021.

Lëvizja Vetëvendosje do të shkojë në balotazh në 12 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në tetë komuna dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë komuna.

Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i partive për koalicionet e mundshme nuk bazohet në parime, vlera apo plane të përbashkëta.

“Kryesisht edhe në të kaluarën, por edhe kësaj radhe, partitë politike koalicionet i bazojnë në pazare politike apo kalkulime të partive politike se cila ofertë ose cili bashkëpunim me partitë tjera do të mund t’ia sigurojë fitoren”, thotë Loxha-Stublla.

Koalicionet mund të ndryshojnë nga komuna në komunë 

Drejtuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë diçka konkrete rreth koalicioneve, por që koalicionet ndërmjet tyre mund të ndryshojnë nga komuna në komunë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se po presin zyrtarizimin e rezultateve për të filluar më pas negociatat për koalicionet e mundshme.

Rezultatet përfundimtare ende nuk dihet se kur do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në të kaluarën, KQZ-së i ishin dashur 12-17 ditë për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas raundit të parë të zgjedhjeve, deklaroi se lidhur me koalicionet për raundin e balotazhit do të vendosin degët e partisë në komunat përkatëse.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i pyetur se kë do ta përkrahin në garën për Prishtinën, pasi PDK-ja nuk do të jetë në balotazh me kandidatin e tyre, Krasniqi ka thënë se i mbetet Uran Ismailit, i cili ishte në garë për Prishtinë, që të vendosë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU