Urdhërohet ndërprerja e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicë

Urdhërohet ndërprerja e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicë

Zgjedhjet Lokale 2025 November 11, 2025 - 00:33

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut.

Në njoftimin e lëshuar në mesantë thuhet se vendimi është marrë pas raportimeve për parregullsi në disa fletëvotime, ku janë vërejtur numra serikë të ndryshëm.

Sipas Prokurorisë, pezullimi bëhet për të shmangur çdo dilemë lidhur me dyshimet për “gabim teknik” apo manipulim të mundshëm me fletëvotime.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën  Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.

Për këto arsyera, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje.”, përfundon njoftimi.