Pranohet si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist nga AAK-ja, Avni Gashi
Foto: Laura Hasani

Pranohet si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist nga AAK-ja, Avni Gashi

Zgjedhjet Lokale 2025 November 12, 2025 - 13:58

Është pranuar si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Istogut nga AAK-ja, Avni Gashi, i cili kishte paraqitur ankesë kundër vendimit të PZAP-it.

Supremja ka vlerësuar se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është e domosdoshme për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Njoftimi i plotë:

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Istogut, nga subjekti politik: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Gashi, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL. Anr. 389/2025, të datës 05.11.2025. Çështja i është kthyer PZAP-it në rivendosje.

Gjykata Supreme vlerëson se në rastin konkret, PZAP-i ka vendosur refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidati për kuvend komunal, por nuk ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe bindëse në raport me pretendimet ankimore.

Për pasojë, Gjykata Supreme vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në Nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në rivendosje, PZAP-i udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse duke siguruar mos cenimin e integriteti të procesit zgjedhor dhe duke pamundësuar devijimin e vullnetit të qytetarëve.