Murati: Përfituese nga “Superpuna”, mbi katër mijë vajza e gra
Foto: Laura Hasani

Murati: Përfituese nga “Superpuna”, mbi katër mijë vajza e gra

Ekonomia April 26, 2024 - 15:49

Ministria e Financave ka organizuar pritje për të rinjtë që kanë qenë përfitues nga skema e kuponëve nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës. Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se janë 240 të rinj dhe të reja, që kanë ndjekur trajnime për teknologjinë informative pa pagesë.

"Pas tri viteve në qeverisje kemi platformën ‘Superpuna’, e cila çdo muaj shton nga një mijë anëtarë të rinj, kemi 5 mijë vende pune të lira në platformën ‘Superpuna’, kemi edhe ndarjen e bursave për shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë për vajza e gra”, tha Murati.

Sipas tij, janë mbi katër mijë vajza e gra përfituese të kësaj fushe.

“Kemi pasur edhe shtimin e programeve të reja në qendrat e aftësimit profesional. Janë 240 të rinj dhe të reja nga rajone të ndryshme që kanë ndjekur trajnime në teknologjinë informative pa pagesë. Falë këtyre trajnimeve disa nga ju keni fituar njohuri dhe janë pajisur me shkathtësi për përdorimin e inteligjencës artificiale. Qëllimi ynë konsiderohet i realizuar në momentin që secili nga ju është i përgatitur për t’u integruar në tregun e punës", tha Murati, raporton rtklive.

Ndërsa Tobias Seiberlich, menaxher i projektit në GIZ, tha se sot po festohet ky pilotprojekt

“Nëse shikojmë më thellë ky është një hap i madh. Unë ju përgëzoj që keni arritur të fitoni njohuri dhe ekspertizë. Unë jam duke shikuar që të vazhdojmë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Punësimit", tha ajo.