Nesër fillon heqja e barrikadës mbi lumin Ibër

Aktuale August 13, 2016 - 23:40

Nesër në Mitrovicë do të fillojnë punimet për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër dhe revitalizimin e kësaj pune.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri më herët gjatë ditës ka njoftuar se punimet mbi lumin Ibër do të kryhen nga një kompani e kontraktuar nga Bashkimi Evropian.

Për revitalizimin e urës ishte vendosur në Marrëveshjen e Brukselit, e arritur më 25 gusht të vitit 2015.

“Ura e Mitrovicës po lirohet pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh që nga përfundimi i luftës dhe se Qeveria e Kosovës vlerëson lartë angazhimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e kësaj marrëveshje e cila do të lehtësoj jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit duke kontribuar në normalizimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe gjithë komuniteteve”, theksoi ministrja Tahiri.

Më 18 qershor 2014, serbët mbollën pisha dhe i vendosën mbi urën e lumit Ibër. Këtë gjë ata e quajtën “Parku i Paqes”. Një ditë më herët ishin hequr gurët që qëndronin si barrikadë mbi këtë urë të cilat simbolizonin ndarjen e qytetit të Mitrovicës.