Shteti i vendosur për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së gjedhit

Aktuale August 16, 2016 - 20:14

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, me të cilët ka biseduar për gjendjen në sektorin e qumështit dhe blegtorisë në përgjithësi.

Në takim ka marrë pjesë edhe Kryeshefi i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Valdet Gjinovci, bën të ditur një komunikatë qeveritare.

Në takim u diskutua për mbarëvajtjen e Programit për Pagesa Direkte për vitin 2016. Ministri Krasniqi i njoftoi ata se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit procedimi i pagesave për fermerët përfitues ka filluar më vonë, për shkak të volumit të madh të aplikimeve, si dhe shtimit të numrit të kontrolleve në terren. Por, ai njoftoi se tashmë janë proceduar pagesat për një pjesë të përfituesve në të gjithë sektorët, përfshirë edhe atë të blegtorisë.

LEXO EDHEVazhdon përhapja e sëmundjes së gjedhit, mungojnë vaksinat

Sipas komunikatës, me theks të veçantë në takim u bisedua edhe për shfaqjen e sëmundjes gungore të lëkurës tek gjedhet edhe në Kosovë, siç ka ndodhur edhe në shtetet e tjera të rajonit. Kryeshefi i AUVK, Valdet Gjinovci informoi ministrin Krasniqi dhe drejtuesit e shoqatës me numrin e rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje në të gjitha komunat e Kosovës si dhe masat që ka marrë agjencia dhe qeveria për këtë gjë. Shoqata shprehu shqetësimin për rastet në rritje dhe kërkoi nga institucionet kompetente që të ndërmerren hapa konkret.

Palët u pajtuan që sa i përket kësaj çështje të vazhdojnë koordinimin për hapat e mëtutjeshëm që duhen ndërmarrë, në veçanti për realizimin e vaksinimit masiv të gjedheve në gjithë territorin e vendit, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të kësaj sëmundjeje, përfundon komunikata.