Zvonko Veselinoviq, i gjithëpushtetshëm në Serbi dhe në veri të Kosovës

Aktuale August 17, 2016 - 19:27

Zvonko Veselinoviq nga Zveçani, i  njohur në Kosovë dhe në Serbi si bosi i kontrabandës me derivate të naftës, me tekstil, vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë, i cili është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011, është treguar i gjithëpushtetshëm edhe në Serbi.

Pasi që veriun e Kosovës e kishte “futur” në dorë lehtësisht nëpërmes të njerëzve të vetë, të njohur për vepra të rënda kriminale dhe duke bashkëpunuar edhe me shqiptarë, Veselinoviq ka arritur që krijojë pushtet edhe në Serbi. Veselinoviq ishte arrestuar dhe ishte dërguar në burg, ndërkohë që pas 1 viti e 4 ditë paraburgimi është shpallur i pafajshëm. Me ndikim të madh tek pushtetarët në Beograd, Veselinoviq kishte arritur që ta merrte një tender 750 milionë dollarë, ndërsa duke përdorë autoritetin dhe forcen e tij, gjithashtu ka arritur që përvehtësojë një pjesë të qendres sportive-rekreative në Kopaonik, në të cilën ka ndërtuar hotel.

Mediet serbe, të cilët Veselinoviqin e përshkruajnë edhe si njeriun që ka refuzuar ta largojë barrikadën nga ura kryesore e Ibrit, të vendosur nga ai vetë dhe nga serbët, disa muaj para se të arrestohej, shkruajnë se Veselinoviq ka arritur ta fitojë gjykimin dhe të përfitojë “miliona” për 1 vit e 4 ditë, sa ka qendruar në burg, me akuzën se “kundërligjshëm ka përvehtësuar 32 kamionë në pronësi të kompanisë Hipo Alpe Adria lizng”. Gjykata e Apelit në Beograd e ka shpallur të pafajshëm Veselinoviqin dhe e ka liruar nga të gjitha akuzat. Për 1 vit e 4 ditë burg që i ka mbajtur,Veselinoviq, siç shkruajnë mediet serbe është dëmshpërblyer me “miliona”, por nuk precizojnë sa milionë, përcjell "zeri.info".

Por, Veselinoviq ka vendosur që ta refuzojë dëmshpërblimin, për shkak se siç ka thënë njëri prej avokatëve të tij, Mladen Magdeliniq, arrestimi i Veselinoviqit është bërë për shkaqe politike.“Prej atëherë klima politike ka ndryshuar dhe ai nuk dëshiron që ta padisë shtetin”, ka sqaruar avokati Magdeliniq.

Sipas medieve serbe, pushteti aktual në Serbia ia ka dhënë një konzorciumi të kompanive, që udhëhiqet nga Zvonko Veselinoviq, punët për ndërtimin e autostradës në korridorin e 11, në vlerë prej 750 milionë dollarë, ndonëse siç precizojnë mediet serbe, kompania e tij nuk ka fare përvojë  në ndërtimin e rrugëve.

Me, apo pa miratimin e pushtetit në Beograd, Zvonko Veselinoviq thuhet se ka uzurpuar edhe stazen e skijimit në Kopaonik. Siç kanë shkruar mediet në Beograd, “biznesmeni nga Zveçani i Kosovës, i afërt me pushtetin aktual, ka krijuar kaos në parkun nacional në Kopaonik dhe aty ka filluar të ndërtojë hotel.

Por, Veselinoviq qëmoti e kishte paralajmëruar shtetin se në Kopaonik do të ndërtojë hotel, i cili do të jetë krenari e Kopaonikut dhe i cili do t’i jap puls zhvillimit të turizmit. Veselinoviq kishte thënë se parcelën prej 900 metra katrorë e kishte blerë prej vëllait të tenistit të njohur, Novak Gjokoviq, Serxhanit, në të cilën ndodhej e ndërtuar kafeneja e emërtuar “Novak”, sipas tenistit Novak Gjokoviq. Veselinoviq kishte paralajmëruar autoritet serbe se kishte blerë nga Gjokoviqët projektin ideor, të cilin e kishte hartuar Instituti CIP i Serbisë dhe ai kishte kushtuar 600 mijë euro, shkruan Zeri. 

Duke ditur për fuqinë që ka Veselinoviqi në Serbi dhe raportet shumë të mira me pushtetin qendor në Boegrad, komuna e Rashkës i kishte dhënë atij leje ndërtimi për hotelin. E ndërkaq, Ministria e Ndërtimit dhe e Infrastrukturës së Serbisë kishte sqaruar se “inspeksioni ka dal në terren dhe ka konstatuar se ndërtimi i hotelit është duke u ndërtuar sipas rregullave”. “Hotel ‘Doli Bel’ në Kopanik është ndërtuar në pajtim me lejën ndërtimore me të cilën është pajisur Veselinoviq”, kishin sqaruar në Ministrinë e Ndërtimit dhe të Infrastrukturës së Serbisë.

Një serb, emrin e të cilit nuk e përmendin mediet serbe, ka thënë se për familjen Gjokoviq, parcela që i është dhënë Veselinoviqit më tepër kishte karakter emotiv se afarist. “Ata janë të lidhur me Kopaonikun, pasi që Novak (Gjokoviq) aty i ka bërë hapat e parë në tenis. Për këtë arsye ata edhe e kanë nisur këtë biznes, por janë tërhequr, kështu që Gjokoviqët ia kanë ofruar këtë pjesë të tokës Veselinoviqit, me kushtin që aty të ndërtojë hotel dhe që të mos ndryshojë asgjë në planin ideor. Veselinoviq dhe Gjokoviq janë miqë me dekada, sepse edhe njëri edhe tjetri janë nga Zveçani”, ka thënë ai.

Sipas medieve serbe, hoteli që ka ndërtuar Veselinoviq në Kopaonik ka 14 apartmane luksoze, tri dhoma dhe garazha nëntokësore, pishinën dhe qendrën sportive, si dhe energji solare dhe quhet “Doli Bel”, ndërsa është në pronësi të kompanisë së familjes Veselinoviq, “Inkop” nga Çuprija e Serbisë. /ZERI/ 

Image