Indira Kartallozi, nga refugjate në drejtuese, në Britani

Aktuale August 17, 2016 - 22:36

 

Indira Kartallozi është themeluese dhe drejtuese e "Chrysalis Family Futures", që është një organizatë e cila i mbron dhe i promovon të drejtat njerëzore, të grupeve të margjinalizuara.

Gjithashtu, është themeluese dhe drejtuese e "Migrant Entrepreneurs Network", që është një rrjet global i bizneseve të migrantëve që operojnë nëpër botë.

Qëllimi i tyre është ta ngrisin vetëdijen e njerëzve, se roli i migrantëve në shtetet ku jetojnë, është pozitiv, dhe sjell zhvillim ekonomik të lartë dhe shoqëror. Të dyja janë të bazuara në Cambridge(Kembrixh), në Britani.

 

Refugjatja që vazhdoi jetën në Londër

Për herë të parë, në Angli, Indira ka shkuar si studente, në vitin 1988. Më vonë, është kthyer prapë, në Kosovë, ka vazhduar studimet, mirëpo nuk i ka përfunduar.

Më  1992, është detyruar të ikë nga Kosova, në Londër, për shkak të situatës së keqe në Kosovë, dhe ka menduar që do të kthehet sërish, kur situata të rregullohet.

Fatkeqësisht, situata në Kosovë, nuk u rregullua, dhe mbeti në Angli, ku vazhdoi jetën e saj, sot e kësaj dite. U bënë plot njëzet e pesë vite në Angli, njëzet e tre prej të cilave i kaloi në Londër, kurse që dy vite në Kembrixh(Cambridge).

Fillimisht, në Londër ka punuar si përkthyese, pastaj në disa organizata që kanë punuar me grupe të margjinalizuara, sidomos me refugjatë dhe migrantë.

Pastaj, ka vazhduar të punojë si këshilltare ligjore, që e këshillon popullatën në çdo aspekt të ligjit. Ka vazhduar shkollimin që të marrë lejen për të dhënë këshilla ligjore në Migracion. Më vonë edhe e ka menaxhuar ekipin me disa këshilltarë të tjerë ligjorë.

Në vitin 2013, ka përfunduar sudimet e Masterit për “Refugee Studies” (Studime të Refugjatëve), që është pjesë e “Human Rights” (Të drejtave njerëzore), ose më saktë për të drejtat e migrantëve dhe azilantëve.

Indira thotë se i bie më së shumti të punojë me refugjatë, pastaj me gra të trafikuara dhe me organizata që merren me grupe të margjinalizuara.

Në vitet '99 ka punuar me mjaft shqiptarë, por edhe me refugjatë nga shumë vende të tjera, e sidomos ku ka pasur konflikte.

Ndër ato vende, i ka rënë të punojë me refugjatë nga: Iraku, Irani, Afganistani, Somalia, Etiopia, Eritrea, etj.

Ajo tregon se refugjatët nga Siria, kanë më së paku të drejta, në krahasim me refugjatët e tjerë, ndihmat janë shumë të vogla dhe nuk u japin azile.

“Ndihmat sociale për ta janë shumë të vogla, dhe ne mundohemi t'i mbulojmë me fonde”-thotë Indira.

Kosovo Change Makers

Programi i cili u realizua këto ditë ,në qytetin e Pejës, kishte disa qëllime kryesore. Përveç Indira Kartallozit, aty morën pjesë, bashkëshoriti i saj, profesor në “University of Cmbridge”, Wayne Visser, Andrea Gamson dhe Anna Moran nga “Social Starters”, Louise Thompson dhe Ben Fraser nga organizata që Indira udhëheqë.

“Kosovës i mungon një strategji e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ndoshta strategjia ekziston po implementimi, jo.”

Ajo thotë se Kosova shumë pak i kushton rëndësi rinisë, edhe pse rinia kosovare janë të aftësuar e të edukuar. Sipas saj, gjeneratat e vjetra nuk u japin shumë hapësirë dhe nuk u japin shumë mundësi.

“Qëllimi kryesor duhet të jetë që ta kthejnë shpresën se si mundet me u inkuadru rinia, në krijimin e biznesesve.”

Në këtë program, morën pjesë më shumë se 25 pjesëmarrës, ku të gjithë ishin kosovarë, nga vende të ndryshme të Kosovës.

“Nuk e kam njohur shumë mirë rininë kosovare, dhe gjatë këtij programi kam pasë rastin me i pa nga afër. Rinia jonë është kaq e talentuar dhe jam shumë krenare me ta. Kemi pasë ekonomistë, arkitektë, inxhinierë, dhe kanë punuar shumë, sepse programi ka qenë shumë i ngjeshur.

Ndër emat kryesore që janë trajtuar gjatë këtij programi është “Zhvillimi i qëndrueshëm”. Ajo tregon, se duke pasur parasysh se planeti nuk ka kapacitet t'i përballojë, duke i përdorur shumë burimet. E ardhmja po dëmtohet, duke përdorur këto burime, në mënyra të papërgjegjshme. Prandaj, përmes rinisë, mund të vetëdijësohet e gjithë popullata.

Tema tjetër ka qenë “Udhëheqja” (Lidership), ku përmes shumë shembujve, janë dhënë karakteristikat se duhet të jetë një lider i mirë, në aspekte politik, civil, por edhe nga biznesor. Janë dhënë shembuj të liderëve civilë, ku një person i thjeshtë, mund të arrijë ndryshime të mëdha. Pastaj, liderë politikë, dhe sa ka ndryshuar vendi nga ta. Kurse, nga aspekti i biznesit, ka pasur poashtu rëndësi të madhe, sepse përmes bizneseve, mund të ndryshohet shumëçka.

Në ditën e tretë të programit,  britanezet, Andrea Gamson, Anna Moran dhe Louise Thompson, folën për “Ndërmarrjet shoqërore”(Social Enterprises).

Ato treguan se çka mund të arrihet nga krijimi i ndërmarrjeve shoqërore, dhe si mund të ndryshohet edhe Kosova. Të rinjtë që ishin pjesëmarrës, kishin për detyrë, të punonin në grupe, dhe të “krijonin” një ndërmarrje shoqërore. Idetë kryesore ishin për ruajtjen e energjisë, krijimit të strehimoreve dhe mbrojtjes të qenve endacakë, ricikilimit të mbeturinave , etj. Në fund u çertifikuan, dhe u ndanë shumë të kënaqur nga kjo përvojë.

Indirën e kanë përgëzuar për këtë organizim edhe pjesëmarrësit, që e kanë parë si një përvojë të mirë.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë! Kam njohur njerëz me ide dhe pikëpamje të ndryshme për botën. Ke shumë kohë të lidhesh me pjesëmarrësit e tjerë dhe të mësosh shumë gjëra të reja, nga ta.”-thotë  Imrit Kasapolli, pjesë e këtij programi.

Folës ishin edhe Përparim Rama, arkitekt, dhe Fatos Katallozi, që hapi shpellën “Bukuroshja e fjetur”, në Radac. Ata treguan për vështirësitë që kanë hasur në jetë, por që pa marrë parasysh, nuk duhet të dorëzohen, sepse vetëm kështu mund ta ndryshojnë Kosovën.

Indira, me punë nëpër botë

Indira, ka qenë pjesë e shumë programeve, në shumë vende të botës, si: Guada Lajara, ku pjesëmarrës kanë qenë akademikët, në Ekuador, gjatë Javës së Ambientit, në Johanesburg, në Afrikën Jugore, në lidhje me rrjetin global të migrantëve.

Eksperiencat, në disa vende, si Sri Lanka, e në shtete ku mjetet mungojnë, e ka parë se njerëzit janë më të fortë.

Njerëzit jetojnë në kushte shumë të rënda, në vende si Nigeria, por janë shumë të gjindshëm, dhe krijohet llojllojshmëri e bizneseve. Pa marrë parasysh, atyre iu mungojnë burimet kryesore, si uji, rryma dhe hapësira ku t'i zhvillojnë këto biznese.

“Kam hasur në njerëz që më kanë inspiruar e motivuar. Mënyra se si i kanë krijuar ata bizneset më ka inspiru.”

Ajo tregon se dy studente femra e kanë motivuar, se si e kanë krijuar një biznes që e kanë quajtur “Good food Market”. Kanë krijuar një pazar ku të gjithë fermerët të krijojnë fertilizues organikë, përmes blerjeve të tyre.

Edhe një inxhiniere 25 vjeçare, e ka inspiru, në “General Motors”, e cila e ka kriju sistemin që e pastron ujin që përdoret në prodhimtari të veurave, e ai ujë pastrohet aq mirë, sa edhe mund të pihet.

“Kosova duhet të zhvillohet shoqërisht dhe ekonomikisht, pa e dëmtu ambientin, diversitetin, komunitetin. Zhvillimi i Kosovës përfshin të gjitha komunitetet. Një shoqëri demokratike dhe e barabartë, arrihet kur rinisë i jepet më shumë hapësirë, respekt dhe përkrahje.”- është mesazhi i Indirës.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image