Nisma: Përplasja në Mushtisht, tregon fytyrën e Qeverisë

Aktuale August 28, 2016 - 20:23

Ndaj incidentit që ka ndodhur sot në fshatin Mushtisht të Suharekës ku banorët lokalë kundërshtuan ardhjen e serbëve në një liturgji kishtare për shkak të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës, ka reaguar edhe Nisma për Kosovën.

Kjo parti opozitare deklaron se ajo çfarë sot u pa në fshatin Mushtisht të Suharekës, tregon edhe njëherë se ky pushtet ka humbur çdo komunikim dhe ndjeshmëri me popullin.

“Në vend që qeveria të angazhohet për fatin e të pagjeturve dhe familjarëve të tyre t’u jepet  përgjigja të cilën janë duke e pritur qe 18 vite, ky pushtet përkundrazi po abuzon me ndjenjat e popullit duke ja ngacmuar plagët e freskëta të luftës”, deklaron Nisma.

Sipas kësaj force politike, përplasja e sotme e policisë me popullin edhe njëherë tregon fytyrën e vërtet të këtij regjimi dhe tregon se ky regjim është i gatshëm të bëjë çdo gjë vetëm për të qëndruar në pushtet.

“Sot qytetarët e Mushtishtit patën dy kërkesa shumë të qarta, të drejta dhe humane. Zbardhja e fatit të të afërmve të tyre të rrëmbyer nga ushtria dhe policia serbe dhe e dyta ata që kanë bërë krime të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”.

Nisma për Kosovën shprehet se çdo tentim për ti dhënë kahe tjetër kësaj proteste të qytetarëve të Mushtishtit është e papranueshme dhe qëllimkeqe.

“Përpjekja e këtij pushteti që ti kapërcej dhe ti qesë në harresë vuajtjet e këtij populli dhe të barazoj viktimën dhe xhelatin siç kanë filluar disa nga pushtetarët për interes individual do të dështon me turp. Paqja dhe mirëkuptimi vjen kur drejtësia shkon në vend për secilin”.