UPZ-ja lëshon diploma të pavlefshme, MASHT-i nuk di asgjë (Dokument)

Aktuale August 30, 2016 - 21:08

Ish-studentja e Universitetit të Prizrenit Y.H, e cila ka kryer studimet në drejtimin Gjuhë dhe letërsi angleze, ka marrë vesh se drejtimi i saj ka qenë i paakredituar tek atëherë kur ka dashur të aplikojë për studime master jashtë vendit.

Ajo i ka thënë gazetës “Zëri” se një gjë të tillë e ka kuptuar nga Ministria e Arsimit, një vit pasi ka kryer studimet në nivelin bachelor, të cilat i kanë zgjatur katër vjet. Megjithëkëtë, askush deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë çështje.

“Pas një vit diplomimi, unë dhe një kolege imja kemi shkuar në MASHT në Prishtinë për ta marrë një vulë nga ana e tyre, sepse na duhej për studime jashtë vendit. Mirëpo, në Ministri na kanë thënë që nuk munden sepse drejtimi ynë nuk paska qenë i akredituar dhe që diplomat tona nuk paskan vlerë. Vetëm kaq, asnjë sqarim tjetër”, është shprehur Y.H për gazetën “Zëri”.

Y.H. fajëson dekanin Ismet Temaj

Ajo ka thënë se bashkë me kolegen e saj, B.H., kanë shkuar te dekani i Fakultetit, Ismet Temaj, për të marrë së paku një sqarim.

Siç ka treguar ish-studentja e UPZ-së Y.H., dekani e ka pranuar se ka qenë i informuar për një gjë të tillë, por ai ka mohuar që kjo çështje të jetë pjesë e obligimeve të tij.

“Pas një bisede të gjatë, zotëriu në fjalë e pranoi që ka qenë në dijeni qysh para pranimit të studentëve në fakultet që nuk është i akredituar, por që nuk paska qenë detyra e tij që të na lajmërojë se po e vijojmë një lëmi që nuk ka për të pasur vlerë për ne”, ka treguar ish-studentja e Universitetit të Prizrenit.

Sipas saj, dekani Temaj qëllimisht i ka mashtruar studentët, pasi ashtu si ajo është shprehur, vetë dekani ka qenë ai i cili i ka nënshkruar diplomat e tyre.

“Ismet Temaj është ai që e ka hapur konkursin për pranimin e studentëve dhe po ai i cili e ka nënshkruar diplomën, që po i bie se ka bërë mashtrim, falsifikim me vetëdije për 4 vjet rresht”, ka shtuar më tutje ajo.

Dekani Temaj fajëson MASHT-in

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe dekanin Ismet Temaj, mirëpo ky i fundit ka thënë se në kohën kur studentja Y.H. është pranuar në fakultet, ai nuk ka qenë në pozitën që është sot.

“Ju bëj me dije se unë në kohën e regjistrimit, gjegjësisht pranimit të studentëve të kësaj gjenerate (2011), nuk kam qenë në asnjë pozitë udhëheqëse të Universitetit ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht nuk kam qenë dekan i Fakultetit të Edukimit”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ndërkaq, arsyeja se pse është vazhduar që drejtimi Gjuhë dhe letërsi angleze të jetë në program të Fakultetit të Edukimit në Prizren, sipas Temajt, ka qenë se me këtë gjë vetëm është zbatuar një vendim i Ministrisë së Arsimit.

“Sa i përket akreditimit të programit të Gjuhës dhe letërsisë angleze, ju njoftoj se ne, gjegjësisht Universiteti ‘Ukshin Hoti’, ka zbatuar vendimin e MASHT-it për të regjistruar (vazhduar studimet në këtë program dhe programet e tjera lëndore). Një gjë e tillë ishte edhe në universitetet e tjera publike në Republikën e Kosovës”, ka shtuar më tutje dekani Temaj.

Ndërsa, ka thënë se problemin në fjalë mund ta zgjidhë vetëm Ministria e Arsimit, por jo UPZ-ja.

“Ju bëjmë me dije edhe një herë se këtë çështje mund ta zgjidhë MASHT-i e jo Universiteti ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht Fakulteti i Edukimit në Prizren”, ka deklaruar Temaj.

Ministria nuk ka qenë në dijeni

Ndërkaq Faton Fetahu, asistent personal i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se Ministria nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, përkundrazi, ashtu si ai është shprehur, për çështjen në fjalë MASHT-i është njoftuar kohët e fundit.

“Në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ju njoftoj se kabineti i ministrit tash së fundmi është njoftuar për këtë problem, me rastin e kërkesave të studentëve të këtij programi për verifikime të diplomave të fituara”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Më tutje, Fetahu ka thënë se çështja në fjalë është duke u shqyrtuar dhe ajo do të qartësohet në përputhje me ligjin.

“Përndryshe, aktualisht është duke u trajtuar me Departamentin për Arsim të Lartë dhe gjithçka do të sqarohet në bazë të legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar asistenti i ministrit Bajrami.

Pavarësisht kësaj, sipas një vendimi të MASHT-it, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” (gjersa Ramë Buja ishte ministër), thuhet se Ministria e Arsimit kishte vendosur t’ua njihte të gjitha diplomat e studentëve të Fakultetit të Edukimit nëpër universitetet publike, siç thuhet “në fazën e transformimit të programeve lëndore nga Fakulteti i Edukimit, në departamentet tjera përkatëse, për vitin akademik 2011/2012 dhe 2012/2013”.

Vendimin  e sipërcekur, të siguruar nga “Zëri”,  mund ta gjeni më poshtë.

Image

 

Rektori  fajëson ish-rektorin, Rektorati nuk kthen përgjigje

Ndërkaq, studentja Y.H. ka thënë më tutje se për të folur me rektorin i është mundësuar vetëm kur ato i kanë thënë dekanit Temaj se e vërteta do të merret vesh.

“Pasi u mundua në të gjitha mënyrat që të na frikësojë, në njëfarë mënyre që ne të mos mundemi të bëjmë asgjë në këtë drejtim, ne e siguruam atë me fjalë që do të dalë në pah e gjithë kjo punë, atëherë na e mundësoi për të biseduar edhe me rektorin e tanishëm, Ramë Vataj”.

Por, gjithnjë siç ka treguar Y.H., rektori Vataj ka biseduar me to vetëm në korridor, duke u arsyetuar për mosakreditimin e drejtimit Gjuhë dhe letërsi angleze dhe duke e fajësuar rektorin paraprak për të njëjtën gjë.

“Na priti me një ironi të madhe dhe atë jo në zyrë, por në prag të derës së korridorit të zyrës së tij, duke na thënë që ai është i ri në këtë punë dhe që ish-rektori i tij paraprak e ka bërë një mashtrim të tillë. Dhe me zë shumë të lartë na tha që të kemi respekt për punën e tij, se ai është rektor dhe nuk është as përgjegjësia e tij dhe as e Ismet Temës”, ka shtuar Y.H.

“Zëri” ka tentuar të marrë një përgjigje nga Rektorati i UPZ-së, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Pavarësisht kësaj, dekani Ismet Temaj ka thënë se rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj,  ka qenë ai i cili ka kërkuar zgjidhjen e këtij problemi nga MASHT-i dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kanë thënë se në vitin 2011 AKA-ja ka pranuar kërkesën për akreditim të drejtimit Gjuhë dhe letërsi angleze, por një gjë të tillë e ka refuzuar, pasi është mbështetur në Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Kosovë.

“AKA-ja ka pranuar në vitin 2011 aplikacion/kërkesë nga Universiteti i Prizrenit për akreditim të programit studimor Gjuhë angleze për edukim (BA). KSHC-ja nuk e ka akredituar programin në fjalë me vendimin nr. 311/11, dt. 13.07.2011”, ka thënë Fisnik Gashi nga AKA-ja.

Vendimin të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”  mund ta gjeni në vijim:

Image
Image

 

Kurse, ashtu siç ka thënë  Gashi, drejtimi i lartcekur është akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë tek në vitin 2014 (për periudhën 1 tetor 2014 - 30 shtator 2017).

Ndërkaq, detyrë e AKA-së, nëpërmjet procesit të akreditimit, është ta mbështesë zhvillimin e cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë e po ashtu ta sigurojë shoqërinë se cilësia e mësimdhënies dhe mësimmarrjes është e nivelit të standardeve ndërkombëtare. /Zëri/