Presidenti tregon se kush ia organizoi vizitën në pikën kufitare në Jarinjë

Aktuale August 31, 2016 - 20:33

Presidenti i republikës, Hashim Thaçi, deklaroi se vizita e tij e sotme në pikën kufitare në Jarinjë të Leposaviqit, që ndan Kosovën me Serbinë, është realizuar tërësisht nga institucionet e Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se shkuarja e tij atje së bashku me drejtorin  e policisë dhe doganës, ishte vizitë e organizuar 100 % nga institucionet e Kosovës.

“Ka qenë vendim yni dhe nuk ka nevojë të merret leja e askujt. Por  ne vazhdimisht punojmë me autoritete ndërkombëtare si KFOR-i të cilët kanë bërë dhe janë duke kryer një punë të shkëlqyeshme”, tha Presidenti i Republikës në Rrokum TV, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, krejt kjo vizitë është rezultat i një normaliteti të situatës në veri dhe se njerëzit e kanë parë se me sulme e urrejtje, nuk arrihet asgjë.

LEXO EDHE: Gjuriqi revoltohet me vizitën e Thaçit në veri

“Por duke punuar e dëgjuar njeri- tjetrin,  shkojmë përpara qoftë edhe drejt një pajtimi qytetar, politik e shtetëror ndërmjet komuniteteve”.

Presidenti tha se KFOR-i dhe autoritet tjera i gëzohen kësaj vizite që kaloi pa asnjë incident.