Ymeri: Nesër, mundësia më e mirë për t’i thënë jo kësaj qeverie shtetkapëse

Aktuale August 31, 2016 - 20:57

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, edhe një herë u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër të mos e votojnë Demarkacionin.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se protesta e nesërme është mundësia më e mirë për siç ka shkruar ai, t’i thënë jo kësaj qeveria shtet-kapëse, transmeton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Thaçi: Nesër kalon Demarkacioni, Kosova nuk humbë asgjë

Ymeri po ashtu ka shkruar se, “pa i hequr këta kriminelë prej pushteti kurrë s'do të kemi zgjedhje të lira, marrëdhënie të mira ndërkombëtare, luftë ndaj korrupsionit, zhvillim ekonomik e mirëqenie”.

Postimi i plotë i Ymerit:

Të dashur miq, pas pak jam në emision televiziv, ku do të flasim për protestën e nesërme dhe për domosdoshmërinë e ndaljes së këtij versioni të demarkacionit.

Gjithçka që ne kërkojmë është një proces i drejtë dhe transparent i demarkacionit, në respekt të ligjeve vendore e ndërkombëtare.

Sot i bëj thirrje gjithë deputetëve që e kanë një fije respekti e dashurie për vendin, ta ndajnë mendjen kundër këtij procesi që është faktuar e argumentuar gjerësisht si i padrejtë.

Nga ana tjetër, jam i sigurt se qytetarët do t'i përgjigjen ftesës sonë për protestë paqësore, por me vendosmërinë maksimale.

Politika e frikës, e kërcënimeve, e shantazheve dhe e inskenimeve nuk mund t'i shpëtojë kriminelët e "Prontos" dhe hyzmeqarët e tyre.

LEXO EDHE: Militarizohet Prishtina (Foto)

Protesta e nesërme është mundësia më e mirë për t'i thënë jo kësaj qeverie shtet-kapëse.

Pa i hequr këta kriminelë prej pushteti kurrë s'do të kemi zgjedhje të lira, marrëdhënie të mira ndërkombëtare, luftë ndaj korrupsionit, zhvillim ekonomik e mirëqenie.

Ndaj, shihemi aty ku ka nisur demokracia, në shesh. #krejt