Seminaret jashtë Kosovës, veç për të marrë mëditje (Video)

Aktuale September 02, 2016 - 22:26

Mbi 1.2 milion euro për gjashtë muajt e parë të vitit 2016, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar vetëm për mëditje jashtë vendit. Në të shumtën e rasteve, këto mëditje paguhen sepse është e nevojshme që zyrtarët shtetërorë të marrin pjesë në takime jashtë vendit.

Jo rrallë herë ndodhë që seminaret e organizuara nga institucionet e Kosovës që do të mund të organizoheshin në Kosovë, organizohen nëpër vendet e rajonit, vetëm e vetëm për përfitimin e mëditjeve. 

Kjo në njërën anë rezulton në shpenzime më të larta, marrë parasysh akomodimin dhe transportin, por edhe i përjashton bizneset hoteliere në vend që të përfitojnë nga këto organizime.

Një arsyetim për këtë është se nëse seminaret që organizohen në Kosovë, ndodh që të mos kenë pjesëmarrjen e nevojshme nga zyrtarët, sepse nuk marrin mëditje për pjesëmarrje në takime të tilla.

Prandaj, organizimi jashtë vendit shfrytëzohet si motivim që të ftuarit të marrin pjesë.

Tribuna Channel ka kuptuar se Ministria e Financave është në përgatitje të një rregulloreje që do të mundësonte pagesën e mëditjeve edhe për përfaqësim brenda vendit, me qëllim që të evitohen shpenzime e panevojshme.