Martesa e hershme, shkelje e të drejtave të njeriut (Video)

Aktuale September 08, 2016 - 22:58

Egzona Miftari, pjesëtare e komunitetit rom, ishte vetëm 13 vjeçe kur familja e martoi në Fushë Kosovë, një qytezë disa kilometra larg Prishtinës. E lindur në një familje të varfër, ajo vazhdon jetën në varfëri, në bashkësi familjare me tre fëmijë.

“Ma mirë me u martu, gjithkush jetën e vet se n‘shkollë. Çka me ba në shkollë? Shkon, nuk e kalon mire, nuk ki sen”, thotë Egzona, e cila nuk ka qenë në shkollë asnjëherë.

Luan Rexhepi, i cili është martuar në moshën 17 vjeçare, aq sa ishte edhe gruaja e tij, po ashtu përkrah idenë e martesës në moshë të re.

“Kur kam qenë i ri ma shumë kam nejtë rrugëve tuj shetit e tu bo probleme, dikur e njoftova gruan time, u fejuam e u rahatova. Me u martu i ri njeriu rehatohet, rri rehat, nuk krijon probleme, krijon familje”, thotë Luani.

Por, asnjëri nga të dy nuk do të dëshironte që fëmijët e tyre të martohen aq herët. Të dy do të donin që ata të shkollohen e të bëhen të zotët e vetes para martesës.

Egzona thotë se vajzën e saj do ta regjistrojë në shkollë, ndërsa Luani thotë se vajzat e tij duhet të arsimohen e të punësohen para se të marrin një vendim të tillë.