Mbyllen votimet në Dibër, 53 për qind pjesëmarrja

Aktuale September 11, 2016 - 20:55

Në orën 19:00 qendrat e votimit në Dibër nisën të mbyllen dhe nga të dhënat paraprake të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 53 për qind e votuesve.

KQZ doli në një deklaratë për mediat pak pas orarit zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit, ku njoftoi edhe pjesëmarrjen sipas QV-ve dhe gjininë.

Sipas Komisionit, nga të dhënat e grumbulluara deri më tani kanë votuar 53 përqind e personave me të drejtë vote, nga të cilët pak më shumë se 30 për qind kanë qenë gra.

“KQZ informon se ka filluar procesi i mbylljes së qendrave të votimit dhe ka filluar edhe dorëzimi i bazës materiale. Në momentet në vijim do të japim një informacion më të saktë për këtë proces. Nga 118 qendra votimi, 107 kanë sjellë të dhëna të sakta për pjesëmarrjen. Në votime kanë marrë pjesë 53 përqind e votuesve. 42 për qind kanë qenë femra. Nuk kanë munguar baza materiale, siç është pretenduar”, bëri me dije zëdhënësja e KQZ-së, transmeton TCH.

Ndërkohë, ambienti ku do të numërohen votat është gati dhe në pritje të mbërritjes së kutive të para për të numëruar.

Por procesi i numërimit nuk mund të nisë pa mbërritur në KZAZ të gjitha kutitë, proces ky që pritet të fillojë rreth mesnatës dhe nëse zhvillohet pa shkëputje, zgjat rreth 4 orë.