Policia zbulon të vërtetën rreth lëndimit të një vajze në 'Dardani'

Aktuale September 19, 2016 - 22:53

Policia e Kosovës, ka demantuar lajmin i cili ishte transmetuar në disa medie, se një vajzë 12-vjeçare ishte hedhur nga kati i tretë i një ndërtese në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku sot intervenoi Policia e Kosovës për t’i larguar banorët nga ky objekt banesor, raporton “Zeri.info”.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, për rajoni e Prishtinës, Agron Borovci, vajza është e moshës 14-vjeçare dhe se ajo ka kërcyer nga tarraca e katit të parë.

Borovci ka konfirmuar për “Zeri.info”, se 14-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetë.

“Një e mitur, 14vjecare ka kërcyer nga një tarracë e brendshme e mbyllur nga kati i parë,  e cila menjëherë është dërguar në emergjencën e QKUK-së ka marr tretman mjekësor dhe sipas mjekëve, gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetë”, ka treguar Borovci për “Zeri.info”.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot gjatë ditës me urdhër të Gjykatës, në lagjen "Dardania", ka marrë një aksion për lirimin e banesave të uzurpuara nga viti 1999. /Zeri.info/