Mustafa në takim me Nuland, ja çfarë i thotë

Aktuale September 22, 2016 - 19:12

Kryeministri Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në New York, është takuar me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit që lidhen me Kosovën.

Mustafa i ka shprehur zyrtares së shtetit amerikan, mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen që deri më tash Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë vendit.

Ndërsa në anën tjetër, Victoria Nuland ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën.

Kreu i qeverisë po ashtu gjatë kësaj vizite në SHBA, ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar.

Kryeministri Isa Mustafa, siç njofton kryeministria, ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën.