Shala- Thaçit: Ndaje mendjen, a ke luftuar a jo

Aktuale October 05, 2016 - 19:59

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, i ka reaguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pas deklaratës së tij se ai ka luftuar që shqiptarët të vendosin vetë për veten dhe të mos merret leje në Serbi për Kosovën.

Shala ka kërkuar nga Thaçi që "të ndajë mendjen" dhe të tregojë a ka luftuar a jo.

"Kur flet për mediet shqiptare Hashim Thaçi thotë se ka luftuar kundër Serbisë, sa ka luftuar nuk e din, por e thotë që ka luftuar", ka shkruar Shala në llogarinë e tij në Facebook.

"Po ky, i njëjti, kur flet për mediet e huaja, sikur që ishte rasti me intervistën e tij dhënë televizionit Euroneës, thotë se ka qenë larg “vijave të frontit”, dmth larg nga vendet ku është luftuar", ka shtuar Shala.

"Tash, ndaje mendjen njëherë e mirë Hashim, a ke luftuar a jo?", i është drejtuar ai presidentit nëpërmjet rrjetit social.