Lladrovci i gatshëm për kryetar të Drenasit nëse ia kërkon PDK-ja

Aktuale November 02, 2016 - 21:37

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Ramiz Lladrovci, është shprehur i gatshëm që të kandidojë për kryetar të Komunës së Drenasit, pasi kryetari aktual Nexhat Demaku u dënua nga Gjykata e Apelit për krime lufte.

Përmes profilit të tij në Facebook, Lladrovdi i ka përgënjeshtruar lajmet se ai do të kandidojë për kryetar të kësaj komune, duke thënë se s’janë të vërteta, por se nëse i kërkohet nga Partia Demokratike e Kosovës që të kandidojë, ai do ta bëjë.

“në disa portale apo media të ndryshme po publikohet lajmi i kandidimit tim për detyrën e Kryetarit të Komunës së Drenasit. Më duhet ta bëj të njohur faktin se unë, edhe tani po vazhdoj të kryej detyrën e nderuar të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri. Më duhet ta bëj të njohur se deri më tani askush nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike nuk ka biseduar me mua dhe nuk më ka shtruar një propozim të tillë. Megjithatë, më duhet të sqaroj se nëse Kryesia e PDK-së dhe drejtuesit e saj të lartë më ofrojnë ta marr përsipër kandidimin tim në detyrën e Kryetarit të Komunës së Drenasit, do të jem i gatshëm t’i përkushtohem kësaj detyre të re”, ka shkruar Lladrovci në profilin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se do ta braktiste pozitën aktuale të Ambasadorit në Shqipëri, nëse do të llogaritej se është më i dobishëm si kryetar i Drenasit.

Lladrovdi thekson se me anë të kësaj deklarate në rrjetin social Facebook, ka për qëllim vetëm ta shprehë gatishmërinë e tij që ta marrë përsipër këtë detyrë.