21 vjet nga vdekja e Anton Çetës, familjet kosovare akoma në hasmëri- Kosova të forcohet ligjërisht

Aktuale November 03, 2016 - 21:02

Falë urtësisë së tij, arriti që mijëra familje kosovare të cilat ishin në hasmëri me njëra-tjetrën që të pajtojë.

Ishte ky Anton Çeta, apo siç njihej ndryshe edhe si “Plaku i urtë”, ku në vitin 1990 ishte zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve, shkruan "Zeri.info".

Gjatë asaj kohe kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe falë angazhimit të tij, dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar gati 27 vite që nga ajo kohë e pikërisht sot 21 vite që nga vdekja e tij (3 nëntor 1995), familjet kosovare akoma vazhdojnë të jenë në hasmëri me njëra-tjetrën.

Rasti më i fundit është ai i familjeve Malaj e Lufaj nga Strellci i Epërm dhe i Ulët të Deçanit, të cilat më dy nëntor (të mërkurën), të këtij viti i falën gjakun njëra-tjetrës.

Bashkëpunëtorët e tij të afërt, Çetën e kujtojnë si një njeri të qetë e të paqes, njeri i cili ka sjell vetëm urtësi e mirësi tek njerëzit.

Publicisti, Halil Matoshi, i cili ka qenë njëri ndër bashkëpunëtorët e Anton Çetës, siç thotë ai, profesor Antoni, ka arritur që ti pajtojë me mijëra e mijëra familje kosovare duke i bërë kështu një nderë të madh vendit.

Matoshi, thotë se procesi i pajtimit të gjaqeve në vitet e ’80-ta e ’90-ta në Kosovë edhe pse është dukur si siç thotë ai “mënyrë tribale”, ka funksionuar mjaftë mirë.

“Natyrisht që jeta në Kosova në vitet ’80-’90 të shekullit të kaluar ka qenë e organizuar në mënyrë specifike, ku aty-këtu ende mbretëronin trajta të Kanunit sado të asimlkiluara, e diku edhe të stërkequra kurse diku sundonin  forma të përziera: Kanuni në ndërlidhje me pushtetin e kohës! Prandaj  për t’u lidhur rreth idesë së çlirimit duhej arritur një pakt, një pajtim dhe kjo sado që duket “Mënyrë tribale” dhe folklorike  ka funksionuar”, ka thënë Matoshi për “Zërin”.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, në Kosovë ka akoma familje të cilat janë në hasmëri me njëra-tjetrën, e disa prej tyre edhe të ngujuara me vite të tëra. 

Matoshi thotë se në këtë kohë, Kosovës nuk i duhet një Anton Çetë, pasi që sipas tij, në këtë kohë është anakronike të kërkohet diçka e tillë.

Matoshi thotë, se tani “pajtimin e gjaqeve”, e bëjnë institucionet përgjegjëse, pra institucionet juridike.

“Sot kemi të bëjmë me një shoqëri  të organizuar që ka arritur shtetin kombëtar dhe i ka ndërtuar institucionet legale, juridike-politike të cilat duhet ta vendosin sundimin e ligjit. Pra “Gjaqet” tash i takojnë ligjit. Duke i zgjidhur kontestet pronësore –juridike si dhe raportet gjinore, martesore e trashëgimore si një shoqëri vërtet e lirë dhe moderne dhe me efikasitet e me drejtësi, evitohen konfliktet mes njerëzve”, ka deklaruar Matoshi.

Sipas tij, nëse shoqëria kosovare duhet të ngritët në këmbë për idenë e pajtimit në këtë kohë, duhet të ngritët në këmbë për ta vendosur shtetin e së drejtës.

“Thjesht sundimi i ligjit është ajo që i duhet kësaj  shoqërie, si buka dhe uji. Dhe qytetarët duhet ta dinë se ligjin nuk mund ta vendosin ata që e kanë shkelë qe 17

vjet.  Pra qytetarët duhet të mos i votojnë “kanunorët e fuqishëm” por “patriotët ligjorë” sado të brishtë! Dhe vetëm kur kosovarët u binden ligjeve do të shndërrohen në një shoqëri politike vërtetë të lirë dhe prosperuese”, ka deklaruar Matoshi për “Zerin”.

Edhe profesoresha Myrvete Dreshaj – Baliu, e cila në atë kohë ishte pjesë e rinisë së Pejës për pajtimin e gjaqeve, tregon se pa urtësinë, njohjen e mirë të profesor Anton Çetës, nuk do të mud të bënin asgjë, pavarësisht asaj, se ata kishin një mision të përbashkët, atë të pajtimit të gjaqeve.

Ajo ka treguar për “Zerin”, se në fillim ky grup i të rinjve prej 18 peronave iu kishin drejtuar profesor Zekiria Canës, i cili në atë kohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, por siç rrëfeiu Dreshaj-Baliu, ka qenë vetë Cana, i cili i ka këshilluar të rinjtë që ti drejtohen profesor Anton Çetës.

“Duke e njohur atë aspekt kombëtar dhe qëndrueshmërisë së Zekiria Canës ne për këtë aksion iu kemi drejtuar profesorit Zekiria Cana, Këshillit për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Lirive të Njeriut. Dhe ai ka thënë se edhe unë i frikësohem këtij misioni kaq human dhe kaq atdhetar sepse nuk jam njohës i mirë i zakoneve, odave dhe traditës shqiptare. Miku im, profesor Anton Çeta është njohës i tyre dhe iu kisha lutur që bashkë me mua të shkojmë tek profesori Anton. Do të thotë ajo rrugë prej Këshillit deri tek Instituti Albanologjik është bërë bashkë me profesorin Zekiria Cana. Dhe aty ne i kemi treguar misionin tonë, idenë tonë dhe profesori Anton ka pranuar që edhe ai bashkë me Zekiria Canën të jenë ata mbështetës të rinisë në këtë aksion. Kështu që gjakun e parë, i cili nuk është falë, por kemi qenë ne si besë, kemi qenë ne 18 të rinj student ku të gjithë kemi qenë ish të burgosur politik dhe profesor Anton Çeta dhe profesori Zekiria Cana. Kemi marrë tre muaj besë ndërsa pas një jave është gjaku i parë që është falë, pas dy jave pastaj dhe gjithë ajo histori e cila është shumë e njohur. Mirëpo, pa urtësinë, dijen, angazhimin, përkrahjen e profesorit Anton Çeta, nuk do të kishte pas efektin të cilin e ka pasur aksioni për pajtimin e gjaqeve. Profesori Anton ka qenë fëmijë në momentin kur është dashur të jetë fëmijë, ka qenë njeriu i moshës së tij dhe ka qenë pleqnari  më i ditur që ka mundur të ekzistoj në historinë shqiptare në momentin kur është dashur të jetë pleqnar. Ka qenë miku dhe profesori ynë”, tregoi për “Zerin”, Dreshaj –Baliu.

Mirëpo, duke e parë që në Kosovë akoma ka familje të cilat janë në hasmëri me njëra-tjetrën, Dreshaj-Baliu, thotë se tani Kosova është një shtet dhe ka institucionet e veta dhe se vendi ynë nuk ka nevojë për një Anton Çetë të kësaj kohe.

Ajo ka thënë se nuk është më idhëtare e asaj që ka ndodhur në të kaluarën, pasi që siç deklaron Dreshaj-Baliu, atëherë kur kanë ndodhur pajtimet e gjaqeve Kosova nuk ka qenë shtet dhe nuk ka pasur institucione të saj, ndërsa tani i ka institucionet të cilat duhet të merren me krimet të cilat kryhen.

“Kosova e ka shtetin e vet, Kosova i ka institucionet e veta të cilat e kanë obligim që të qeverisin në çdo segment të jetës. Nuk jam idhëtare e këtyre gjerave, njerëzi e urtë, njerëzit e mirë, njerëzit dashamirës të cilët edhe nuk janë në hierarkinë e qeverisjes shtetërore, vendi ka gjithmonë nevojë për ta, por në momentet kur kemi Gjykatat tona, momentet kur një gjë nga Gjykatat emërohet si një krim, krimi mendoj se duhet të ndëshkohet. Unë nuk jam idhëtare e këtyre gjërave. Momenti kur ka filluar aksioni i pajtimeve të gjaqeve e kemi Kosovën pa institucione, kemi Kosovën kur s’ka pasur shtet dhe aksioni i pajtimeve të gjaqeve sa ka qenë humanitar po aq ka qenë kombëtare dhe mbi këtë frymë ne kemi arritur pa u paguar gjaku dhe vetëm dorëzani ka qenë rinia, populli, flamuri. Paramendojeni mbi çfarë elemente njerëzit kanë falur gjakun dhe sot kur ne i shohim këto dhe bëhen mediatike, ndoshta pas tyre asnjë herë nuk e dimë se çka ndodhë, unë nuk jam idhëtare e këtyre. Kosova ka institucionet e veta dhe institucionet e Kosovës duhet ta kryejnë këtë përgjegjësi të cilën ne e kemi kryer kur Kosova ka qenë pa institucione”, ka deklarua Dreshaj-Baliu për “Zërin”.  

 

Image