A do t’i shkojë Thaçit dikush në takim?

Aktuale November 03, 2016 - 22:06

“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim pune, që do të mbahet më 4 nëntor 2016, nga ora 10:00, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Tema e takimit: Reforma zgjedhore në Republikën e Kosovës”.

Kjo është përmbajtja e ftesës që Presidenti Hashim Thaçi ua ka drejtuar të gjithë liderëve të partive politike. Ata janë ftuar që nesër të jenë në takimin ku do të diskutohet për reformën zgjedhore, njofton Klan Kosova.

Por a do të jenë liderët pjesë e këtij takimi?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se lideri i tyre Ramush Haradinaj nuk gjendet në Kosovë.

“Haradinaj nuk është në Kosovë, por edhe po të ishte, ai nuk do të merrte pjesë në takimin e ftuar nga Thaçi – sepse kjo temë tashmë është e vonuar”, ka thënë Muharrem Nitaj, zëdhënësi i AAK-së për Klan Kosovën.

Jo, takimit i kanë thënë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës”, ka shkruar Visar Ymeri, lideri i Vetëvendosjes pas ftesës që u është bërë nga Presidenti Thaçi.

“Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit”.

Ngjashëm do të veprojnë edhe NISMA për Kosovë.

“Ftesën e kemi marrë, por nuk do të marrim pjesë”, ka thënë për Klan Kosovën, Valmir Gashi, zëdhënësi për media i NISMA-s.

Por Mustafa dhe Veseli?

Kryeministri Isa Mustafa, njëherësh lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës aktualisht gjendet në Londër të Britanisë së Madhe ku së bashku me disa ministra të Qeverisë, prezantuam mundësitë për investime të huaja në Kosovë.

Pra i bie që as Mustafa nuk do të jetë pjesë e takimit të liderëve ku pritet të diskutohet për reformën zgjedhore.

Në një udhëtim pune është edhe lideri i Partisë Demokratikë të Kosovës si dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli gjendet në Hungari me ftesë të homologut të tij Laszlo Kover dhe sipas gjitha gjasave Veseli do ta ketë të pamundur të jetë pjesë e këtij takimi.

Se si do ta zhvillojë Presidenti Thaçi këtë takim të paralajmëruar për nesër kur liderët e Opozita e kanë refuzuar, ndërsa ata të Pozitës janë në udhëtime pune – mbetët të shihet nesër gjatë ditës.