Deliu: Subjektet opozitare t’i bashkohen punës për Reformë Zgjedhore

Aktuale November 04, 2016 - 18:17

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ftesën e Presidentit Hashim Thaçi të bërë ndaj partive politike për të diskutuar rreth Reformës Zgjedhore, e sheh si të duhur.

“Reformën zgjedhore e shoh si një nismë të mirëpritur dhe të mirëseardhur. Ka pasur rekomandime të shumta nga organizata ndërkombëtare për fillimin e një reforme zgjedhore, sidomos për fazën nëpër të cilën po kalon vendi”, ka thënë Deliu në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ndonëse ftesën e Thaçit nuk e ka pranuar opozita, Deliu është shprehur se edhe ato do i bashkohen kësaj nisme.

“Mendoj që subjektet e tjera do t’i bashkohen punës për reformën zgjedhore”.

“Është mirë që tanimë e filluam debatin për reformën zgjedhore. Mirëpo është ende herët të flitet për platformën përfundimtare, por është mirë që debati ka filluar.

“Pres gjithsesi që edhe partitë opozitare do ta japin kontributin e tyre. Me transparencë dhe seriozitet duhet t’i qasemi këtij projekti. E shoh si nismë pozitive”.

Ajo është shprehur se vetë partitë janë deklaruar për një reformë zgjedhore, prandaj duhet që të marrin pjesë në Reformë.

“Janë partitë politike që qysh me konstituivin e kuvendit, kanë bërë thirrje për reformim të sistemit zgjedhor. Prandaj ato duhet të jenë të gatshme t’i bashkohen reformës”.

“Ulja për të diskutuar me të gjithë akterët politikë, do t’i shërbejë një konsensusi të përgjithshëm”.