Besa Gaxherri thotë se Kadri Veseli po xhelozon ‘sukseset’ e LDK'së (Video)

Aktuale November 04, 2016 - 23:23

S’ju bashkuam nismës së VV-së për hetim të SHIK-ut, pasi që VV-ja është satelit i PDK-së! Kështu thotë deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri. “SHIK-u na ka vra”, ka thënë ajo në emisionin Rrokull Roll të Televizionit Rrokum.

Gaxherri ka thënë se kur të flitet për zgjedhje, si nga pozita ashtu edhe nga opozita duhet të ketë reflektim serioz, ngase nuk mundet me ecë ky vend me shantazh.

Deputetja e LDK-së, ka thënë se ky vend duhet me qenë i lumtur që në një klimë kaq të brishte politike dhe këtij presioni kaq të madh, kjo qeveri ka arritur ta miratojë buxhetin prej 2 miliardë eurosh.

Gaxherri për këtë arritje madje ka thënë se merita i takon dy personave e ata janë Isa Mustafa e Avdullah Hoti, madje ajo i ka quajt ata personalitete të kalibrit evropian.

Ajo ka thënë se strukturat e LDK-së nuk kanë diskutuar se është kërkuar nga partneri i koalicionit shkuarja në zgjedhje.

Gaxherri ka theksuar se kjo qeveri në këtë klimë të keqe politike, ka arritur të bëjë projekte të mëdha politike sikur është Trepça, Energjetika dhe projekte tjera të rëndësishme.

“Kadri Veseli duhet të jetë më serioz kur i përmend zgjedhjet”, ka thënë Gaxherri, duke shtuar, se Veseli ka përgjegjësi politike dhe s’duhet t’i shqetësojë qytetarët.