Thaçi: Shqiptarët do ta dënojnë Ali Ahmetin me votë

Aktuale November 24, 2016 - 21:33

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, në prag të zgjedhjeve në Maqedoni, ka thënë se rivali i tij politik dhe udhëheqësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, do të dënohet përmes votës nga shqiptarët.

“Jam optimist që shqiptarët do ta dënojnë Ali Ahmetin dhe Gruevskin përmes votës, të cilët e kanë shndërruar Maqedoninë në një shtet të degjeneruar”, ka thënë Thaçi në Zona e Debatit, njofton Klan Kosova.

“Tashmë jemi 15 vite pas viti 2001 dhe kemi mungesë totale të rezultateve politike. Dhe kur mungojnë këto rezultate është e qartë që kryengritja nuk është bërë për t’i realizuar nevojat e shqiptareve”, është shprehur Thaçi.

“Gruevski dhe Ahmeti kanë keqpërdorur shumë edhe ndjeshmërinë e ndërkombëtareve. Bashkësia ndërkombëtare ka qenë më tolerante ndaj Maqedonisë sesa vendeve të rajonit. Kjo tolerancë është keqpërdorur shumë”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, “zgjedhjet janë mundësia e artë që shqiptarët e Maqedonisë përmes votës ta ndryshojnë këtë gjendje”.

“Nëse nuk bëhet realitet kjo shpresë, situata do të përkeqësohet shumë”, ka deklaruar Thaçi.