Thaçi e Nishani festojnë bashkë 28 Nëntorin në Tiranë (Foto)

Aktuale November 28, 2016 - 21:14

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, festën për 28 Nëntorin e ka vazhduar në Tiranë.

Me ftesë të presidentit Bujar Nishani, ai po merr pjesë në ceremoninë shtetërore kushtuar 104-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në Tiranë, transmeton “Zeri.info”.

Thaçi përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se besimi dhe dashuria ndaj Shqipërisë, flamurit kuqezi, vlerave të përbashkëta kulturore, traditave dhe lidhjeve të një gjaku, na ka mbajtur të gjallë gjatë tërë shekullit të ndarjes.

Presidenti tutje ka shkruar se, sot, kur Shqipëria feston 104 vjetorin e pavarësisë, Kosova ka hyrë në 17 vjetorin e çlirimit dhe 9 vjetorin e pavarësisë, transmeton “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Thaçit:

Me ftesë të presidentit Bujar Nishani, mora pjesë në ceremoninë shtetërore kushtuar 104-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në Tiranë.

28 Nëntori është festë e rrënjosur thellë në vetëdijen tonë historike, kombëtare dhe politike. Ekzistenca e shtetit shqiptar, pavarësisht nga sistemi politik, rendi kushtetues dhe ideologjik, për shqiptarët kudo që jetonin, ka qenë shpresë, besim dhe ëndërr që një ditë do të arrinin aspiratën e lirisë.

Besimi dhe dashuria ndaj Shqipërisë, flamurit kuqezi, vlerave të përbashkëta kulturore, traditave dhe lidhjeve të një gjaku, na ka mbajtur të gjallë gjatë tërë shekullit të ndarjes.

Sot, kur Shqipëria feston 104 vjetorin e Pavarësisë, Kosova ka hyrë në 17 vjetorin e çlirimit dhe 9 vjetorin e pavarësisë.

Edhe Shqipëria, edhe Kosova, si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e tyre, kanë shënuar ecje përpara.

Sot, shqiptarët në Ballkan janë faktor paqeje dhe stabiliteti.

Kosova dhe Shqipëria, me urtësi dhe përgjegjësi institucionale, shprehin interesim dhe mbrojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi e në diasporë.

Si dy shtete që kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me kombet përreth, janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës në harmoni me të tjerët.

Image

Image

Image

Image