OEK: Terminali i Margarita Kadriut, me shkelje procedurale

Aktuale December 01, 2016 - 21:04

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për ta hapur një terminal të ri, të cilin po e zbaton Dogana, vlerësohet të jetë i dëmshëm për bizneset dhe ekonominë e vendit.

Prandaj Oda Ekonomike e Kosovës, ka vendosur të kërkojë pezullimin e fillimit të operimit të terminalit, që ka për pronar familjen e deputetes Margarita Kadriu, dikur anëtare e Partisë Demokratike.

Kreu i Odës ekonomike tha se janë vërejtur shkelje gjatë procedurave të licencimit të terminalit në fjalë.

Bile sipas Gërxhaliut vendimi për lejimin e operimit të terminalit të ri ka karakter politik.

Klan Kosova ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave dhe dogana në lidhje me këtë çështje.

Asnjëri institucioni nuk është deklaruar për pyetjet e dërguara, të enjten.

Një ditë më parë, në një tekst të publikuar gjithandej nëpër portale, është raportuar se ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit të doganës, Fahri Gashi, ka nënshkruar vendimin për një terminal doganor në emër të familjes Kadriu, anëtare e së cilës është ish-deputetaja e PDK-së, Margarita.

Kjo ishte bërë pas caktimit të tij në këtë pozitë, me një vendim të kryeministrit Isa Mustafa.

Në tekstin në fjalë thuhet se “institucionet e Kosovës me qëndrim politik dhe me votën e korruptuar, votë kjo njëherë e premtuar për zgjedhjen e Presidentit (pasuksesshëm), tash i dedikohet Demarkacionit dhe Asociacionit, kanë paraparë që të realizohet skenari i tyre politik”.