​Matoshi: Rezultati në Drenas, indikator se PDK po bie në gjithë Kosovën

Aktuale December 04, 2016 - 21:27

Rënia drastike e votave për PDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, në raport me zgjedhjen e fundit lokale, analistët politik e vlerësojnë si një indikator se subjekti më i madh politik në vend do të ketë rënie në nivel të Kosovës. Madje, sipas tyre, bazuar në këto rezultate, të gjitha partitë politike në vend, përpos PDK-së, do të kërkojnë që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme nacionale.

“Rënia e PDK-së në Drenas është indikator se kjo parti është në rënie në tërë vendin dhe kjo i rritë gjasat e oponentëve të saj, sëkëndejmi edhe kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale do të jetë edhe më e zëshme”, ka deklaruar për “Zëri.info”analisti politik Halil Matoshi.

Sipas Matoshit, pas këtyre rezultateve lokale, PDK-ja do të jetë ajo që do të përpiqet t’i bllokoj zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Përndryshe, kjo është hera e parë që nga paslufta që PDK rrezikon të shkoj në balotazh në Drenas, pasi që të gjitha zgjedhjet lokale i ka fituar qysh në raundin e parë. /Zëri.info/