Skamja po ia qorron edhe sytë (Foto + Dokument)

Aktuale December 18, 2016 - 22:47

I është amputuar këmba në moshën 51-vjeçare, ndërsa tani rrezikon të mbetet edhe pa sy. Ky është fati i Halime Gërgurit, e cila përveç dhimbjeve po e vuan edhe skamjen. Familja e saj merr vetëm 75 euro ndihmë sociale, ndërsa për mungesë të 4900 eurove, ajo po e humb edhe shikimin. Dy fëmijët e saj kanë ndërprerë shkollimin që të kujdesën për nënën, në vend që shteti të kujdeset për të    

E sëmurë dhe e mbyllur në shtëpi, në mungesë të mjeteve financiare që të shërohet, gruaja nga fshati Nakaradë e Fushë Kosovës po vuan jo vetëm fatin e saj.

Dy fëmijët e saj, vajza 17 vjeç ka ndërprerë shkollën që të kujdeset për të ëmën në mungesë të përkujdesjes së shtetit për të, dhe në mungesë të mjeteve financiare për shkollim ka mbetur edhe djali i saj.

Ai pas mbarimit të shkollës së mesme nuk ka vazhduar arsimin e lartë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tani, ëndrrat e dy fëmijëve janë përmbledhur se si t’i sigurojnë 4 mijë e 900 euro që nëna e tyre të operohet nga sytë dhe t’i kthehet shikimi i humbur në syrin e majtë.

Sëmundja e diabetit, Halime Gërgurin, e ka lënë dhe pa këmbën e majtë. Asaj i është amputuar këmba. Por, skamja tash po ia “vret” dhe shikimin. Familja që krejt të ardhura mujore i ka 75 euro, nuk ka mundësi ta dërgojë për shërim.

Në moshën 51-vjeçare, Halimja ka mbetur pa këmbë dhe tani po e humb dhe shikimin.

“Mjekët në QKUK më kanë thënë se nuk kam trajtim në Kosovë, por vetëm jashtë vendit të operohem, unë nuk po kam mundësi të operohem”, thotë ajo derisa tregon se në Klinikat private për trajtimin e syve i kanë kërkuar 4 mijë e 900 euro që ta operojnë. “Këtu pastaj më thanë po bën të operohem, por në privat”.

Humb shikimin, nuk ka të holla për operim

Tashmë, ajo po përballet dita-ditës me humbjen e shikimit. Në pesë ditët e fundit, shikimi i ka humbur fare në njërin sy, pasi ka tre muaj që familja nuk po arrin të sigurojë këto mjete për operimin e saj.

Halimja tregon se nuk ka dërguar dokumentet në Ministri të Shëndetësisë (MSH) për të kërkuar mbështetje financiare për shërim jashtë vendit.

“Me çka të shkoj, unë pa shkuar tek mjeku nuk më japin letër. Po shkon kot burri, mundësi nuk po kemi të shkoj dhe kontrollohem edhe unë sepse po duhet të paguajmë taksi. Shtëpi jo, asgjë jo, çka po shihni këtu (orendi) asnjë të miat nuk janë”, thotë ajo, duke fajësuar skamjen që siç thotë e solli në këtë ditë.

“Skamja ndoshta më ka bërë kështu”, thotë ajo, derisa përpiqet të fshijë lotët para fëmijëve dhe tregon se që nga paslufta po përballen me varfërinë.

“Varfëria më mbyti, më solli sëmundje”

“Fëmijët e mi e hanë bukën veç me supë, po patën një troh spec mirë, po se patën kurgjo”, rrëfen Halimja për “Zërin” duke treguar se tani vuan edhe nga anemia, e kequshqyerja sipas saj po ia shton dhe sëmundjet tjera.

“Burri herë punon herë nuk punon, çka të bëjmë me pesë eurot që i fiton, ato për udhë i shkojnë. Ndodh dhe me ujë e ha bukën, nuk kemi as supë”.

E, Halimja thotë se shpresonte që djali i saj të punonte diku. Po përveç se ka mbetur pa shkollë, tani ajo thotë se djali i saj as nuk punon.

“Askush nuk e merr në punë. I jemi nuk po ka, tjetër kush nuk po na njeh dhe jam këtu në këtë gjendje, sidomos prej një viti që më kanë amputuar këmbën”, thotë ajo duke theksuar se gjendja e rëndë në varfëri po ia shton hallet dhe më shumë.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, vajza e saj ka ndërprerë procesin mësimor që e vijonte tek shkolla e mesme teknike “Hivzi Sylejmani”.

“Motrat medicinale shkonin tek shkolla e  merrnin vajzën dhe ma sjellnin në spital se nuk kishte kush të kujdesej për mua, burri qëllonte duke punuar diku si punëtor krahu”, thotë Halimja, e cila tregon dhe dokumentet që ia kanë vënë në prill të këtij viti dhe stentat.

“Varfëria më mbyti, më solli sëmundje. Askush nuk na ka ndihmuar, mbetëm pa shtëpi, në fshatin Godancë të Drenasit nuk kishim mundësi ta ndërtojmë shtëpinë”, tregon ajo për gazetën.

Punëtori i krahut që nuk ka bukë t’i dërgojë gruas së tij  

Bashkëshorti Adem Gërguri tregon një pako me barëra që sapo ia ka blerë bashkëshortes, duke bërë të ditur çmimin e kësaj pakoje që i ka kushtuar dy euro, e që për këtë familje shpenzimi i dy eurove në ditë do të thotë shumë, pasi Ademi mban familjen me punën e krahut që bën.

“Marrim një ndihmë sociale nga shteti për gruan e sëmurë prej 75 eurove, por 80 euro paguajmë qiranë ku jetojmë këtu në një shtëpi në fshatin Nakaradë ku jemi shpërngulur pas luftës. Pas djegies së shtëpisë gjatë luftës neve nuk na ndihmoi askush ta ndërtojmë prandaj u detyruam të vijmë këtu me qira dhe më afër mjekëve”, thotë ai për gazetën, derisa rrëfen për pritjet e tij të përditshme si punëtorë krahu se mos e thërret dikush të punojë dhe të fitojë pesë euro e shumta 10 euro sa paguhet një punëtor krahu në ditë.

“Ndodh dy-tri ditë nuk më merr askush të punoj, rri dhe pres gjithë ditën dhe kthehem në shtëpi pa asgjë, dikë e marrin kurse punë pres se pa dalë aty ku dalin dhe punëtorët e tjerë të krahut në lagjen Dardania, nuk kam qare”.

Ademi tregon se si i papunë në Kosovë është vështirë të sigurosh edhe bukën për familjen, kurse për anën shëndetësore, sipas tij është pothuajse e pamundur të kujdeset.

“30 euro më kushton një kontroll tek mjeku privat, veturë timen nuk kam, po duhet taksi, pasi gruaja ka të amputuar një këmbë, gjithçka sapo lë shtëpinë dhe nisem ta dërgoj tek mjeku është me para”, thotë ai.

Hallet i shtohen kur rrëfen se si nga mjekët i rekomandohet që gruan e sëmurë ta ushqejë mirë.

“Duhet ushqyer me sallata, pra perime, kur kam ia blej, kur s’kam po duhet të kënaqem që po arrijmë të blejmë vetëm bukën”, thotë Adem Gërguri.

Image

Image

Image

Image

Image