Lekaj: Qeveria nuk ka qenë në gjendje të jetë e pavarur nga Serbia

Aktuale December 28, 2016 - 21:37

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se qeveria e Kosovës nuk është e aftë t’i kryejë punët e saja, as me Listën Serbe, e as e vetme. Ai në një prononcim të dhënë për Zëri.info, ka thënë se ky subjekt politik, i cili tashmë ka ngrirë sërish pozicionin e saj në kuvend, nuk është formuar për t’i sjellë të mira Kosovës.

“Qeveria si me Listën Serbe si pa të, është e paaftë t’i kryejë detyrat e saj në mbrojtje të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Lista Serbe nuk është krijuar për t'i ndihmuar Kosovës të ecë tutje”, ka deklaruar Lekaj.

Sipas tij, qeveria asnjëherë nuk ka arritur të jetë e pavarur prej Listës Serbe dhe Serbisë.

“Qeveria edhe njëherë po e përsëris, nuk ka qenë në gjendje të jetë sovrane dhe e pavarur nga ndikimi i Serbisë përmes Listës Serbe”, ka theksuar ai.

Lekaj gjatë bisedës, ka thënë se gabimi i qeverisë ka ndodhur qysh në fillim, kur është lidhur koalicioni me Listën Serbe.

“Gabimi që në fillim ka ndodhur me lidhjen e koalicionit me të, prandaj kjo çka po ndodhë sot është e gjitha e paramenduar që në fillim nga Beogradi”, ka shtuar tutje deputeti i AAK-së.

Ndërkohë, ka vlerësuar se duhet që sa më parë të shkohet në zgjedhje, pasi që ashtu si ai është shprehur, qeveria e tanishme nuk është më funksionale.

Ndryshe, Lista Serbe gjatë ditës së sotme e ka ngrirë sërish pozicionin e saj në kuvend, vetëm  dy ditë pas takimit që ka mbajtur me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Zëri