Të 'çmendur' pas veturave klasike (FOTO)

Aktuale December 31, 2016 - 17:51

Një veturë klasike secili prej nesh do ta kishte vozitur vetëm për qejf.

Dikush mund ta quajë çmenduri, duke preferuar veturat e reja, por ka të atillë që thonë se më parë e marrin një veturë klasike sesa një të re.

Adhuruesit e mëdhenj të veturave klasike - avokati Arianit Koci dhe humoristi Rasim Thaqi, i njohur si “Cima”, na shpalosin pasionin dhe dashurinë e tyre të madhe për këto vetura.

Avokati Koci, adhurues i flaktë i veturave klasike

Nuk mund të kesh një listë të veturave atraktive e aty të mos jetë edhe një veturë e llojit “Fiat”.

Klasike, e bukur, e dizajnuar qysh në vitet e 50-ta, nga disenjatori i njohur italian Dante Giacosa, duke u shndërruar kështu në njërin ndër modelet me të shitur të të gjitha kohërave është kjo vetura “Zastava 850” ose siç njihet “Fiça”.

Edhe pse jo shumë e shpejtë ajo i plotëson standardet e qytetit, është një prej veturave me dizajnin më të bukur në kohën kur është prodhuar e një të tillë e posedon avokati Arianit Koci.

Ai tregon se kjo veturë në aspektin e sigurisë është e dobët dhe nuk frenon, por thotë se ndien kënaqësi gjatë vozitjes, duke shtuar se e mira e kësaj veture është sepse e ka motorin prapa dhe nuk ngec gjatë ditëve me borë.

“Për standard të tanishëm kjo është veturë e vjetër, në aspektin e sigurisë është shumë e dobët. Pra me këtë po të bësh ndeshje është shumë keq, nuk frenon, por e ndien kënaqësinë e vozitjes. E ka një të mirë se e ka motorin mbrapa, ftohje me ujë, për dallim prej ‘Wolsvagen’-it edhe për shkak që ka edhe shtyrjen me rrotat mbrapa, edhe motorin nuk mbetet në borë askund, pra mund të shtyhet edhe me këto veturat e reja që janë 4x4. Pra, ‘Fiça’ është e njohur që nuk mbetet në borë”, shpjegon Koci.

Koci thotë se këtë veturë e ka blerë kohët e fundit dhe se si adhurues i madh i veturave klasike tregon se me vite të tëra ka kërkuar një veturë të tillë, duke shtuar se në treg ka shumë pak vetura të këtij lloji.

“Ka kohë që kam kërkuar një të mirë, me vite të tëra kërkoj sepse në treg kanë mbetur shumë pak ‘Fiça’. Karoseria nuk është edhe aq shumë e qëndrueshme dhe nuk është ruajtur. Pra, ka qenë e vështirë për t’u gjetur një veturë e cila i plotëson disa kritere minimale, që ia vlen të investohet në të, e cila nuk është e kalbur, nuk ka shumë korezion, domethënë i ka pasur disa të meta të vogla të cilat tash me kohë jam duke ia eliminuar”, tregon Koci.

Ai tregon se atij i pëlqejnë veturat klasike, derisa thotë se dhe ai sa ishte në moshë më të re ishte adhurues i markave të reja të veturave, por që tani ka ndryshuar shijen.

“Me të vërtetë është veturë e bukur kështu për t’u parë, edhe e kam parë që është trend në botë gjithkund. Sidomos ‘Fiça’-t, por edhe ‘Mercedes’-at tash po ruhen, po konservohen”, derisa shton se edhe për nevojë të qytetit është shumë i lehtë për t’u vozitur. 

“Për shkak të bukurisë së vet edhe që është kompakt, është pjesë edhe e shumë muzeve në botë, madje një person i pasur Onazisi në anijen e vet e ka pasur një ‘Fiçë’ dhe i ka kryer aty punët me këtë veturë”, shpjegon Koci.

Ai thotë se del shpesh me të, por vetëm në baza ditore për shkak se nuk i plotëson standardet, por që ai është shumë i kënaqur me të.

Historia që e lidh “Cimën” me veturën, të prodhuar para 25 vjetëve

Një tjetër adhurues i veturave klasike në vendin tonë është edhe humoristi i njohur, Rasim Thaçi- “Cima”.

“Cima” ka një veturë “Renault 5”, i cili është prodhuar në dy gjenerata, e para është prodhuar nga viti 1972-1985 dhe është quajtur “R5”, ndërsa gjenerata e dytë e prodhuar nga viti 1984-1996 është quajtur “Super 5”.

Imazhet dhe detajet e para të “Renault 5” janë publikuar më 10 dhjetor 1971, ndërsa paraqitja e parë formale e kësaj veture është bërë me 28 janar 1972.

Shumica e pjesëve mekanike të kësaj veture ishin të modelit “Renault 4”. Motorët ishin marrë nga “Renault 4” dhe “Renault 8” dhe versioni i parë shitej me dy lloje motorësh 782 cc dhe 956 cc.

Kjo veturë ishte dizajnuar nga Michel Boué jashtë orarit dhe përgjegjësive të tij të punës. Kur udhëheqësit ekzekutiv të “Renault”-it kishin parë këto skicime të tij kishin vendosur që të futej në prodhim.

Ndërsa ajo që e lidh më së shumti artistin me këtë veturë është se, siç thotë ai, kjo veturë në një mënyrë ia ka shpëtuar jetën. Ai tregon historinë e lidhjes së tij me këtë veturë, të cilin e mban me shumë dashuri që 25 vjet.

 “E kam blerë para lufte, kjo veturë më ka shpëtuar në njëfarë mënyre jetën, sepse kur jemi larguar gjatë luftës për në Maqedoni e pata lënë në Han të Elezit. Aty në kufi ka pasur edhe shumë vetura të tjera, edhe e lashë. Pas tre muajve kur jemi kthyer, e kam gjetur pa asnjë rrotë. Mandej unë e kam marrë dhe e kam kompletuar”, tregon ai.

Ai thotë se me këtë veturë udhëton vetëm në qytetet e Kosovës, po jo me larg pasi nuk është në gjendje të mirë teknike.

Ai madje thotë së më shumë kujdeset për veturën sesa për bashkëshorten e tij, Shukrijën.

 “Bile shumë herë veturës më shumë ia bëj hyzmetin sesa Shkukrisë, edhe shpeshherë ajo më hidhërohet, për makinë më shumë po shpenzon dhe po kujdesesh sesa për mua”, përfundon “Cima”.

Image
Image
Image
Image
Image