AAK: Mbajtja në arrest e Haradinajt është politik e jo gjyqësor
Vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
“Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Tutje thuhet se për më tepër mbajtja në paraburgim e Haradinaj, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij”, thuhet në njoftim.
AAK është e bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdoj punën e tij. /ZERI/