Presidenti Thaçi udhëtoi në SHBA për imazh të tij, jo për Kosovën
Prishtinë. Nga vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në SHBA nuk pritet asnjë dobi për Kosovën. Analistët kosovarë vlerësojnë se kjo vizitë më shumë po ngjan me një vizitë private sesa zyrtare. E ka të atillë që mendojnë se presidenti Thaçi këtë vizitë e ka bërë vetëm e vetëm në funksion të krijimit të një përshtypjeje tjetër për imazhin e tij. Ndërkaq nga opozita shkuarja e presidentit në SHBA shihet si përpjekje e fundit për t'u thirrur në përkrahjen e SHBA-së dhe të BE-së, sidomos kur punët brenda shtetit kanë qenë një kaos i vërtetë për shkak të politikave të tij.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se Thaçi njihet për veprime të tilla manipuluese në funksion të krijimit të një përshtypjeje tjetër për imazhin e tij.
“Në këtë kohë të tranzicionit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë vizita e presidentit Thaçi më tepër është në funksion të promovimit të imazhit të tij sesa në funksion të dobisë që mund t'ia sjellë shtetit, të cilin e udhëheq”, ka thënë Mushkolaj.
Edhe analisti Blerim Burjani mendon se vizita e Thaçit më shumë ngjason në një vizitë private sesa në një vizitë zyrtare. Ai ka thënë se kjo vizitë është më shumë si një kuriozitet, duke shtuar se nuk sheh ndonjë dobi për Kosovën. “Është shumë e çuditshme që Thaçi nuk ka dhënë ndonjë agjendë të veten për këtë vizitë pse shkon ai atje, por ka vetëm njoftime se e kanë kontaktuar dhe kjo është pak jo serioze e kësaj vizite. Dhe mund të quhet një vizitë që është e iniciuar nga vetë Hashim Thaçi”, tha Burjani.
Krenar Shala, njohës i çështjeve politike, ka thënë se vizita e presidentit në Amerikë bëhet në kuadër të fushatës se tij për ta përmirësuar imazhin.
“Vizita e presidentit Thaçi në SHBA është bërë në kuadër të fushatës së tij për të përmirësuar imazhin në njërën anë dhe për të arritur ndonjë koncesion potencial rreth akuzave që do të ngrihen ndaj tij nga Gjykata Speciale”, ka thënë Shala.
Opozita: Presidenti duhej të ishte në Kosovë
Ndërkaq deputetja nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se shkuarja e tij në SHBA është përpjekje e fundit për t’u bërë thirrje, siç ka bërë vazhdimisht në përkrahjen e SHBA-së dhe të BE-së. “Thaçit i është bërë burg zyra e tij e presidentit. Ai nuk ftohet fare nga homologët përkatës dhe përmes tij e për shkak të tij po izolohet edhe Kosova. Shkuarja e tij në SHBA është përpjekja e fundit për t'u thirrur, siç ka bërë vazhdimisht në përkrahjen e SHBA-së dhe të BE-së, sidomos kur punët brenda shtetit kanë qenë një kaos i vërtetë për shkak të politikave të tij”, vlerëson Kadaj-Bujupi.
Kadaj-Bujupi mendon se presidenti Thaçi as brenda Kosovës e as jashtë saj nuk konsiderohet i denjë për pozicionin që po e mban.
“Secili e di rrugëtimin e tij deri në këtë pozicion, ku pakënaqësinë qytetare e shtypi me dhunë. Ai mbetet një figurë kontroverse, i cili do të duhej që sa më parë të largohej nga skena politike dhe të marrë përgjegjësi për veprimet e tij në dëm të shtetit dhe të kombit”, tha Kadaj-Bujupi.
Edhe sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, mendon se vizita e Hashim Thaçit nuk shihet sikur një vizitë zyrtare nga e cila do të përfitojë shtetit i Kosovës. “Shkuarja e Thaçit në SHBA pikërisht tani kur atje është duke u ndërruar administrata në asnjë mënyrë nuk mund të shihet sikur një vizitë zyrtare nga e cila do të përfitojë shteti i Kosovës, por thjesht një shëtitje e tij në Amerikë me paratë e buxhetit të shtetit”, tha Sherifi.
Ndërkohë Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë në AAK, ka thënë se presidenti Thaçi do të duhej të ishte në Kosovë apo në Francë dhe të angazhohej direkt për lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj. “E kuptoj që presidenti ka nevojë të jetë në një ngjarje të rëndësishme, siç është inaugurimi i presidentit të SHBA-së, qoftë edhe në margjinat e këtij zhvillimi, por presidenti i Kosovës do të duhej, besoj unë, që të ishte në Kosovë apo në Francë dhe të angazhohej drejtpërdrejt në lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj, ndalimi i të cilit është ndalim i Kosovës, është sulm mbi Kosovën”, ka thënë Nitaj.