Nderohet Presidenti Rogova, Mustafa nuk merr pjesë në homazhe

Aktuale January 21, 2017 - 13:13

Sot kur janë bërë 11 vite nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, shumë qytetarë dhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë bërë homazhe tek varri i tij.

Për homazhe, nuk ishte kryeministri dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ndonëse prania e tij ishte paralajmëruar më herët, njofton Klan Kosova.

Ministri i Punës, Arban Abrashi, ka thënë se Mustafa për shkaqe private ka udhëtuar jashtë vendit.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se “Presidenti Rugova do të mbetët i pazëvendësueshëm”.

Për homazhe u pa edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, por jo edhe zyrtarë të partive tjera në Kosovë.

Dyert për pritjen e mysafirëve i kanë hapur edhe Familja Rugova, ndonëse sot nuk kanë pranuar të flasin para mediave.

Për nder të Rugovës, është duke u mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore, ku po marrin pjesë struktura të partisë si dhe shumë personalitete të tjera.

Rugova, ishte zgjedhur Presidenti i parë i Kosovës në vitet e 90-ta, në votimet e mbajtura atë kohë.

Ai votën e popullit e mori edhe pas luftës duke qenë Presidenti i parë i Kosovës së lirë.