Sherifi: Tërheqja e fetlarrestimeve kusht dhe jo kërkesë!

Aktuale January 23, 2017 - 21:19

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka kërkuar nga pala kosovare, që në bisedimet e nesërme Serbinë ta kushtëzoj me ndalimin e fetlarrestimeve e jo kjo të jetë një kërkesë që Serbia ti tërheq fetlarrestimet për ish-pjesëtarët e UÇK-së, transmeton “Zeri.info”.

“E kaluara e kriminale dhe gjenocidale e Serbisë ndaj Kosovës nuk lejon që kushtet ndaj saj t'i shndërrojmë në kërkesa, sepse kushdo që pranon kushtet t'i shndërrojë në kërkesa me automatizëm kërkesat do t'i shndërrohen në lutje”, ka shkruar Sherifi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Ai tutje ka thënë se, tërheqja e fletarresteve do të duhej të ishte kusht vetëm për të konsideruar një takim të mundshëm dhe jo kërkesë që duhet të bëhet në takim me palën serbe, përcjell “Zeri.info”.

“Të shkosh në Bruksel për të kërkuar tërheqjen e fletarresteve është e barabartë me njohjen e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën për këtë çështje”, ka shkruar Sherifi.

Postimi i plotë i Sherifit:  

 

Tërheqja e Fletarresteve KUSHT dhe jo KËRKESË!

Serbia vetëm brenda disa javësh i bëri disa veprime të rënda kundër sovranitetit dhe integritetit terriorial të Kosovës.

Ofenzivën e saj kundër Kosovës e filloi me ndërtimin e MURIT me qëllim ndarjen qytetit të Mitrovicës, e vazhdoi me ndalimin e Ramush Haradinajt nga Interpoli në Francë me urdhërarrest të lëshuar po nga Serbia dhe e përmbylli me të ashtu quajturin Treni Rus.

I vetëdijshëm se pas gjithë këtyre provokimeve agresive që Serbia i bëri kundër Kosovës, shkuarja në takim me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidentin e saj Tomisllav Nikoliç në Bruksel është veprim i gabuar dhe i dëmshëm për interesat e vendit, Hashim Thaçi në funksion të amortizimit të kundërshtimeve të opozitës dhe të qytetarëve të vendit, deklaroi se ka vendosur të shkojë në takim në Bruksel për të kërkuar tërheqjen e fletarresteve.

E kaluara e kriminale dhe gjenocidale e Serbisë ndaj Kosovës nuk lejon që kushtet ndaj saj t'i shndërrojmë në kërkesa, sepse kushdo që pranon kushtet t'i shndërrojë në kërkesa me automatizëm kërkesat do t'i shndërrohen në lutje.

Nuk besoj se ka njeri me mendje të shëndoshë në Kosovë që nuk e din se duke e lutur Serbinë nuk mund të mbrohen interesat e vendit.

Prandaj, tërheqja e fletarresteve do të duhej të ishte kusht vetëm për të konsideruar një takim të mundshëm dhe jo kërkesë që duhet të bëhet në takim me ta.

Të shkosh në Bruksel për të kërkuar tërheqjen e fletarresteve është e barabartë me njohjen e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën për këtë çështje.

Prandaj, arsyetimet e tilla nuk janë asgjë më shumë se manipulim i radhës dhe përpjekje për të fshehur qyqarllëkun në raport me Serbinë.