The Independent: Thaçi takoi në Uashington njerëzit kryesorë të Trumpit

Aktuale January 23, 2017 - 21:21

Ish-ministri britanik për Ballkan, Denis MacShane, ka analizuar politikën e jashtme në rajon dhe raportet në relacionin Trump-Putin-Serbia-Kosova.

MacShane në tekstin autorial për britaniken “The Independent” përmend faktin se shumë republikanë të cilët tash do të bashkëpunojnë ngushtë me Trumpin, siç është rasti i John McCain dhe ish nënpresidentit Bob Dole, mbështesin fuqishëm liderët kosovarë, transmeton lajmi.net.

MacShane përmend edhe takimin e këtyre dyve me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi të premten në Uashington, vetëm disa orë para inaugurimit të Trumpit, ku kanë biseduar për bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje.

Megjithatë, Donald Trump është përcaktuar për përmirësimin drastik të raporteve me Vladimir Putinin dhe Rusinë.

Pikërisht në këtë epokë të ndryshimeve të raporteve dhe miqësisë mund të priten lëshime të shumta nga Uashingtoni dhe Kremlini.

MacShane i cili nga viti 2001 deri në vitin 2005 e ka kryer funksionin e ministrit të ngarkuar për Ballkan në qeverinë britanike, vlerëson se ndoshta Federica Mogherini do të ishte ajo që do t’i pajtonte Kosovën dhe Serbisë.

Megjithatë, ish ministri thotë se asgjë nuk do të ketë sukses derisa Serbia mos ta pranojë Kosovën.