Përfundon takimi, Vuçiq: U pajtuam që dialogu të vazhdojë me përfaqësim të lartë

Aktuale January 24, 2017 - 23:28

Në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i thirrur me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Të dyja palët thanë se ishin “bisedime të vështira”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai tha se me BE-në janë hapur të gjitha çështjet, përfshirë edhe fletëarrestimet e Serbisë, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit që të mos manipulojë me serbët e Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pajtim për të vazhduar një seri takimesh në nivel të lartë.

Takimi, në të cilin kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Tomislav Nikoliq, është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve.