Thaçi: Ua bëmë me dije Nikoliqit e Vuçiqit se do të veprojmë si shtet i pavarur

Aktuale January 24, 2017 - 23:48

Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i thirrur me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran.

“Shpresoj që pas këtij takimi, Serbia do të qetësohet dhe do të ulë agjendën e vet nacionaliste në raport me Kosovën dhe pretendimin për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe do të ishte mirë që Serbia ta njohë sa më parë që të jetë e mundur”, tha Thaçi.

Ai tha se me BE-në janë hapur të gjitha çështjet, përfshirë edhe fletarrestimet e Serbisë, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit që të mos manipulojë me serbët e Kosovës.

“Kemi insistuar që Bashkimi Evropian të jetë i qartë dhe i vendosur në presionin e vet ndaj Beogradit”, tha Thaçi.

Thaçi përsëri theksoi se muri në veri të Mitrovicës, i ngritur nga autoritetet lokale atje, duhet të rrënohet dhe se Serbia duhet të zhbëjë strukturat e saj në veri të Kosovës.