Donald Lu: Cili do të jetë impakti i reformave të Trump mbi Shqipërinë

Aktuale January 25, 2017 - 20:04

Ambasadori i Shteteve Bashkuara të Amerikës në Tiranë Donald Lu ka folur për herë të parë lidhur me deklaratat e bëra nga Presidenti Donald Trump si dhe impaktin që do të kenë reformat e paralajmëruara prej tij në botë dhe konkretisht në Shqipëri.

Duke folur në Forumin e Humaniteteve me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Histori Filologjisë, ambasadori Lu sqaroi ndër të tjera se si mund të ndikojnë platformat politike të Trump në marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë.

Lu theksoi se “Shtëpia e Bardhë e ka përkufizuar qëllimin e politikës së jashtme të Presidentit si të qëndrueshme, për një botë më të paqtë, me më pak konflikte dhe më shumë interesa të përbashkëta.”

Ambasadori amerikan tha gjithashtu se “shkatërrimi i ISIS është përcaktuar si një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme, një qëllim të cilin ne e ndajmë me mbi gjashtëdhjetë vende të tjera të koalicionit kundër ISIS-it, duke përfshirë edhe Shqipërinë.”

Duke folur për reformën në drejtësi në Shqipëri, Ambasadori Lu vuri në dukje se populli shqiptar e kërkon dhe e mbështet atë. Ambasadori theksoi se ky vit që kemi përpara është “plot me sfida kur bëhet fjalë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet kombëtare.”