Nikoliq: Nuk do të ketë luftë në Ballkan

Aktuale January 25, 2017 - 20:42

 

Njeriu që para disa ditësh kërcënoi me dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka thënë se nuk do të ketë luftë të re në Ballkan.

Këtë deklaratë Nikoliq e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve portugezë në Lisbonë të Portugalisë ku po qëndron për vizitë, duke thënë se është e pamundur të gjendet ndonjë politikan që dëshiron luftë, raporton”Danas”, përcjell Telegrafi.

“E pamundur është të nisin luftëra të reja dhe e pamundur është të gjenden politikanë që duan luftëra”, tha Nikoliq, duke thënë se Serbia nga viti 2012 po zhvillon bisedime të sinqerta me shqiptarët e Kosovës, me qëllim që jeta në Kosovë të jetë e sigurt për të gjithë qytetarët.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Nikoliq ka thënë se Kosova administrohet përkohësisht nga administrata në Prishtinë,  dhe se Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti serb ka thënë se nuk ka asnjë temë të cilën Serbia nuk e ka zgjidhur pozitivisht për Kosovën, por ekzistojnë tema të cilat Kosova nuk i ka zgjidhur pozitivisht për serbët që jetojnë atje, e për të cilat janë dakorduar në Bruksel, transmeton Telegrafi.

Duke folur për incidentin me trenin serb, Nikoliq ka thënë se prania e Njësive Speciale në kufi me Serbinë, ishte sinjal se shqiptarët janë të gatshëm të luftojnë.

Nikoliq tha se për këtë çështje është biseduar në takimin e së martës në Bruksel.

“Qëndrimet e të dy palëve kanë ngelur të pandryshuara. Shqiptarët nuk do të heqin dorë nga pavarësia, kurse Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë”, tha Nikoliq, duke potencuar se është keq nëse më nuk do të ketë për çka të bisedohet. /Telegrafi/