Qehaja: Arsyet pse kundërshton NATO-ja

Aktuale March 18, 2017 - 18:20

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, ka konsideruar se nisma e krijimit të ushtrisë është mjaft e vonshme.

“Kam një dëshirë që kjo çështje të ecë përpara. Gjithnjë, kjo çështje është dashur të kryhet para tri vjetëve. Nëse ne e konstatojmë se na duhen 7-10 vjet për ta formësuar forcën e armatosur, pra një decenie gati, sepse duhet shumë punë deri atëherë, atëherë a nuk jemi në vonesë shtrohet pyetja? Unë them se jemi në vonesë shumë të madhe”, ka potencuar ai në një bisedë për “Zërin”.

Megjithëkëtë sipas tij, tash kjo nismë duhet çuar përpara, transmeton zeri.info.

“Kjo iniciativë duhet të çohet deri në fund, sepse ligji këtë e mundëson. Nëse ligji e mundëson, pse ne të presim që Serbia të na thotë formoni ose jo forcat e armatosura, sepse ajo nuk ka pse të përzihet në  punët e  brendshme të Kosovës”, është shprehur Qehaja. 

Duke folur rreth kundërshtimeve të NATO-s, Qehaja ka thënë se një gjë e tillë është ditur qysh moti.

“E kam pasur të qartë që NATO nuk do ta japë përkrahjen për FSK-në e avancuar në detyra ushtarake, aq më parë që në kuadër  të NATO-s ka shtete anëtare të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet. Kjo është çështja e parë. Çështja e dytë, NATO-ja këtu në Kosovë punon dhe vepron sipas Rezolutës 1244. Domethënë, kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”, ka shtuar ai./Zeri.