Gecaj: Shpresojmë se do të zbardhen vrasjet e zyrtarëve të LDK-së

Aktuale March 18, 2017 - 18:38

Bajram Gecaj është zyrtari i dytë në LDK që ka vazhduar debatin për zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës. Ka thënë se LDK asnjëherë s’është ndalur së kërkuar drejtësi për vrasjet politike. Ky reagim i Gecajt erdhi pasi deputeti i NISMA’s, Zafir Berisha tha se zyrtarët e LDK’së janë legena dhe se vetëm para fushatave zgjedhore keqpërdorin vrasjet e pasluftës për qëllime politike.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës tha sot se LDK keqpërdorë vrasjet e pasluftës për qëllime politike. Zafir Berisha, zyrtar i NISMA’s, tha se këtë temë partia e Isa Mustafës e hap sa herë është afër fushata zgjedhore.

Reagimi i Berishës erdhi pasi Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu kërkoi nga Shteti zbardhjen e vrasjeve të pasluftës të zyrtarëve të kësaj partie.

Në këtë debat është përfshirë edhe Bajram Gecaj, Këshilltar i Kryetarit të LDK’së. Ka thënë se kjo parti asnjëherë s’është ndalur duke kërkuar drejtësi për vrasjet politike.

“Deklarime banale, të pavërteta dhe plotësisht jo të sinqerta janë ato që LDK përmend vrasjet politike vetëm para zgjedhjeve. Edhe ashtu ne jemi largë zgjedhjeve lokale dhe edhe më largë atyre qendrore. LDK nuk do të pushoi kurrë së kërkuari drejtësi për vrasjet dhe tentim-vrasjet ndaj aktivistëve ndër më të mirët të LDK-së”, ka reaguar Gecaj, nëpërmjet një reagimi në FB, shkruan Gazeta Express.

“Vrasësit e tyre, pa marrë parasysh se ku janë të radhitur, janë ndër kriminelët më të ndyrë, sepse sulmuan mu palcën e shtetësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Agim Veliu tha se duhet drejtësi për ata që i vranë si : Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Latif Berisha, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyqi etj.

Zyrtari tjetër i LDK’së, Gecaj, tha se po shpresojnë se do të dallin para drejtësisë të gjithë ata që kanë dorë në vrasjen e zyrtarëve të LDK’së.

“Populli thotë se "asgjë nuk mbetet për atë dynja", prandaj ne shpresojmë dhe gjithherë do të punojmë që kjo shprehje të materializohet”.