Jevtiq u premton 13 familjeve serbe ndërtim të shtëpive dhe rikthim në Kosovë

Aktuale March 18, 2017 - 18:40

 

Lista Serbe zyrtarisht është në bojkot të institucioneve të Kosovës e si pjesë e saj edhe ministrat serbë, por një nga ta, së paku formalisht, funksionin po e kryen.

Delibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete, është takuar në Kragujevcë me 13 familje të zhvendosura nga fshati Lubozhdë, afër Istogut, njofton Klan Kosova.

Jevtiq u ka premtuar serbëve të Kosovës që do t’u ndihmojë atyre që sa më shpejtë që të jetë e mundur t’i kthejë në shtëpitë e tyre.

“Në ndërkohë jemi duke punuar në rinovimin dhe ndërtimin e shtëpive të tyre, dhe kështu përsëri do t’i kthejmë këta njerëz në shtëpitë e tyre shekullore”, ka thënë Jevtiq pas takimit, njoftoi Radiokim, përcjell Klan Kosova.

Ndërsa, përfaqësuesi i të zhvendosurve nga Lubozhda, Zharko Zariq, falënderoi ministrin Jevtiq dhe bashkëpunëtorët e tij që shkuan për t’i ndihmuar ata.

“Ata erdhën për të na treguar se do të na bëjnë një çati mbi kokë në mënyrë që të kthehemi të vazhdojmë të jetojmë dhe të ruajmë pasuritë tona”.