I burgosuri që vdiq sot në burgun e Lipjanit, shoku i dhomës së Astrit Deharit
I burgosuri që ka vdekur sot në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, sipas disa zyrtarëve e pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë shok dhome i Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Hysen Durmishi, anëtar i VV'së, njëherësh drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se "i burgosuri i parë që hyri në dhomën e Astritit ditën tragjike ishte Naser Makolli. Ai sot vdiq në burgun e Lipjanit".
"Ende pa filluar hetimet nga një institut i pavarur ndërkombëtar i propozuar nga familja, vdiq dëshmitari kryesor. Vështirë të mos dyshosh në skenare të errëta të këtij pushteti kriminal”, ka thënë Durmishi.
Edhe Shpend Ahmeti, pjesëtar i Vetëvendosjes, njëherësh kryetar i Prishtinës, thotë se i burgosuri që vdiq sot në Lipjan ishte shok dhome i Astrit Deharit në Prizren.
"Kur në burg humbi jetën Astrit Dehari, i pari që hyri në dhomë ka qenë i burgosuri Naser Makolli. Sot, ky dëshmitar kyç ka vdekur në burgun e Lypjanit. Ende pa u hetuar në mënyrë të pavarur...", ka thënë Ahmeti.
Njëjtë pohon edhe Xhelal Sveçla, anëtar i Vetëvendosjes. “Në burgun e Lipjanit vdes dëshmitari kryesor, ish-cimeri i dhomës së Astrit Deharit. Çka po ndodhë…”, ka thënë Sveçla.
Sot, zyra për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e një të burgosuri në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.
“Sot, më datë 3 Prill 2017, rreth orës 12:45, i paraburgosuri N.M., i akuzuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në ndihmë’, pas dhënies së ndihmës së parë nga stafi mjekësor i Qendrës së Paraburgimit në Lipjan, me udhëzim të mjekut të kësaj qendre, është përcjellë për në Emergjencën e qytetit”, thuhet në njoftim. /Express/