Sherifi: Takimi përfundoi pa asnjë marrëveshje

Aktuale April 03, 2017 - 23:01

Takimi i nënkryetarëve të partive që zgjati me orë të tëra përfundoi pa asnjë marrëveshje, raporton “Zeri.info”.

Ndonëse temë e takimit ishte Demarkacioni, Asociacioni etj, pozita dhe opozita nuk u dakorduan.

Bilall Sherifi, nga NISMA për Kosovën, ka thënë për “Zeri.info”, se ky takim ka përfunduar pa asnjë marrëveshje, pasi që siç deklaroi ai, opozita pra LDK dhe PDK, këmbëngulin në qëndrimet e tyre.  

“Përfaqësuesit e partive në pushtet PDK-LDK treguan gatishmëri për të biseduar lidhur me të gjitha temat e shtruara mirëpo, me kusht që përafrimi i qëndrimeve të bëhet vetëm sipas këndvështrimeve të tyre për temat që u biseduan. Kjo vlen për të gjitha temat e biseduara në takim si demarkacioni, Asociacioni etj”, ka deklaruar Sherifi për “Zeri.info”, i cili shtoi se, në këtë takim është biseduar edhe për zgjedhjet e parakohshme.

“Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të parakohshme ata nuk ishin në gatshëm as të bisedojnë. Sipas tyre, zgjedhjet e parakohshme ose ndodhin ose nuk ndodhin por nuk mund të flasin për to!”, deklaroi Sherifi për “Zeri.info”. 

Në këtë takim ishin Xhavit Haliti nga PDK, Lutfi Haziri nga LDK, Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje dhe nga Nisma, Jakup Krasniqi dhe Bilall Sherifi. /ZËRI/