Hoxhaj në shënimin e ditës së turqve në Kosovë, u shpreh mirënjohje që besuan në Kosovën e pavarur

Aktuale April 23, 2017 - 22:42

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në ceremoninë kryesore të shënimit të ditës së Komunitetit Turk, që u mbajt sonte në qytetin e Prizrenit.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e komunitetit turk të Kosovës për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumë-etnike. Ai ka shprehur mirënjohjen për komunitetin turk të Kosovës që çdoherë kanë besuar dhe besojnë në Kosovën e Pavarur.

Kryediplomati kosovar ka folur për integrimin e këtij komuniteti në Kosovë dhe avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike.

"Kur ne po hyjmë në dhjetë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duhet të krenohemi me arritjet tona në integrimin e komunitetit turk në institucionet lokale dhe qendrore të shtetit të Kosovës, si dhe në avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike. Dita kombëtare e turqve të Kosovës është një ditë kur ne reflektojmë për të kaluarën, konstatojmë për rezultatet dhe sfidat e tanishme dhe projektojmë të ardhmen", ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka deklaruar se duhet të bëhet më shumë që në të ardhmen të rinjtë e këtij komuniteti të kenë një perspektivë më të mirë dhe që të moshuarit ta kenë një plakje të dinjitetshme.

"Turqit e Kosovës janë një urë e fuqishme e marrëdhënieve tona me Turqinë, shtet të cilit i jemi mirënjohës për njohjen e Kosovës, mbështetjen për njohje të tjera dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare", ka përfunduar Hoxhaj.