MPJ: Përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme

Aktuale April 27, 2017 - 21:33

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, po e përcjell me shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni dhe sulmin e raportuar ndaj deputetëve dhe gazetarëve.

MPJ konsideron se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë.

“Në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

MPJ konsideron se dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vazhdimin e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike.