VV kërkon reagim të Prishtinës dhe Tiranës për situatën në Maqedoni

Aktuale April 27, 2017 - 21:50

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka kërkuar që Prishtina dhe Tirana të reagojnë për situatën në Maqedoni, ku protestuesit hynë në parlament dhe sulmuan deputetët dhe gazetarët pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Kuvendit.

“Tolerimi i deritashëm i dhunës e shovenizmit të Gruevskit e ka sjellë këtë gjendje. Këtu ndërkombëtarët nuk janë krejt të papërgjegjësi. Maqedonia është ndërtuar dhe ekziston përmbi pabarazinë dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve. Qartazi kjo nuk e paqëson pjesën shovene të politikës maqedone, por e ushqen dhe rrit atë. Bashkëjetesa dhe paqja arrihet vetëm në kushte barazie e solidariteti. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë, në secilën situatë, karshi cilitdo popull”.

“Shpresoj që Zijadin Sela, Zoran Zaev, e të gjithë të lënduarit tjerë të shërohen sa më shpejtë”.

“Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur. Nuk bën në asnjë mënyrë të jemi indeferent e me dy mendje në kundërshtimin tonë ndaj instalimit të politikës shoveniste në një vend fqinj. Aq më tepër kur aty jetojnë shqiptarët. Aq më tepër kur ky shovenizëm është kundër shqiptarëve”, ka shkruar kryetari i VV’së, Visar Ymeri.