Gazetarët dhe deputetët dalin nga Parlamenti

Aktuale April 27, 2017 - 22:57

Mediat maqedonase raportojnë se tashmë kanë filluar të dalin nga Parlamenti deputetët dhe gazetarët që kishin mbetur të ngujuar brenda.

“Deputetët dalëngadalë po dalin. Forcat speciale po sigurojnë që ky proces të jetë i sigurtë. Siç po e shoh po largohen një nga një nga Kuvendi, pas atyre vimë dhe ne. Momentalisht dëgjoj vetëm alarmin e Kuvendit, nga këtu ku jemi të gjithë. Koridori është rreth 5 metra i gjatë. VRMO-DPMNE, sjelljet e tyre janë korrekte dhe na dhënë neve sinjal se kur mund të lëvizim dhe kur jo. Jam 2 metra larg portës dalëse. Presim sinjalin e policisë speciale që të na tregojë se kur mund të dalim nga këtu ku ishim më shumë se tri orë të ngujuar...Tani po dalim”, ka thënë Blerim Ismaili, gazetar i ngujuar i televizionit Alsat-M, transmeton Indeksonline.

Më parë, ishte ministri i Brendshëm maqedon, Agim Nuhiu ai që ka deklaruar se policia ishte fokusuar në lirimin e të ngujuarve dhe se po e rikthen kontrollin.

Ndërkohë, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, presidenti maqedon Gjorge Ivanov u ka bërë thirrje partive politike që të gjejne zgjidhje për t`ia kthyer vendit stabilitetin.